Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se gjatë kohës sa do të vlejë masa për ndërprejen e mësimit në shkolla, ministrja që ajo udhëheqë është duke punuar në një platformë, ku do të mbahet mësimi online.
Bajrami ka premtuar që ministria do të angazhohet që kjo formë e mësimit alternativ të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme në aspektin teorik dhe përmbajtësor, duke parsur parasysh rrethanat ekzistuese.
“Menjëherë pas marrjes së masave për ndërprerjen e mësimit në të gjitha nivelet, kemi filluar edhe kontaktet me operatorët ekonomik të cilët mund të ofrojnë ekspertizën e tyre, platformat apo infrastrukturën që mundëson mësimin online (virtual). Deri tani kemi inicuar kontakte me përfaqësuesit e Microsoft, Gjirafa.com, Edukimi.net dhe LinkPlus, të cilët i falënderojmë për gatishmërinë e treguar për të mundësuar aplikimin e këtij formati të mësimit. Në ndërkohë, kabineti është duke identifikuar edhe operatorë tjerë potencial që do të mund të ndihmonin në organizimin e mësimit alternativ nga distanca në këto rrethana”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Ministrja Bajrami, njëherit ka bërë thirrje që çdokush që mund të jap kontribut në këtë proces të lajmërohet në MAShTI.
Po ashtu, ministrja njoftoi se në këtë formë po punohet të transmetohen edhe ligjeratat për studentë.
Kujtojmë që dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim që mësimi në të gjitha nivelet në tërë territorin e Kosovës të ndërpritet deri më 27 mars, si masë parandalimin ndaj koronavirusi./Gazeta Sinjali/