Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit ndaj të pandehurës SH.H e cila dyshohet se ka tentuar ta mbys djalin e saj 9-vejçar me kabllo.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 22 shtator të këtij viti, rreth orës 18:00, në shtëpinë e shoqes së saj M.T., tek e cila kishte shkuar për t’u kujdesur për shkak të gjendjes shëndetësore të kësaj të fundit.
Në aktakuzë thuhet se disa fqinjë të M.T., kishin shkuar në shtëpinë e saj dhe ishin ankuar që 9-vjeçari po u drejtohet me fjalë banale dhe po i ngacmonte fëmijët e tyre, veprim ky që dyshohet se e kishte shtyrë të pandehurën që më një kabllo ta godiste djalin në pjesë të ndryshme të turpit, e më pas edhe t’ia vendos rreth fytit duke e ngulfatur, por që në atë moment kishte ndërhyrë dëshmitarja, e cila kishte dëgjuar zërin e viktimës duke e thirrur dhe e kishte larguar këtë të fundit nga duart e nënës së tij, e i cili në ato momente po shkumonte nga goja.
Me këto veprime, gjykata vlerëson se e pandehura dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.
“Të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje është ende në fazën hetimore për çka me gjetjen e të pandehurës në liri ekziston rreziku që e njëjta të ndikojë në dëshmitarë, të përsërisë veprën e njëjtë penale apo të përfundojë veprën penale të tentuar. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e mjaftueshme për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/