Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka komentuar përgjimet e Mimoza Kusari-Lila me zyrtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, në të cilat u bë e ditur se ka folur edhe me Milan Radojiçiqin. Ai tha se e njëjta nuk është dashur të ketë komunikim me dikë që është në kërkim nga organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Rrahmani deklaroi se nuk është i përfaqësuar nga Kusari-Lila dhe se ka qëndrimet e veta individuale.
“Edhe para se me dalë këto audio-incizime çdoherë kam pasur qëndrimet e mija. Natyrisht, ajo e përfaqëson Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje derisa është shefe e Grupit, mirëpo unë përfaqësimin e kam individual, çdo herë jap edhe qëndrime personale-individuale. Natyrisht, në aspektin e përfaqësimit politik Mimoza-Kusari ka orientim tjetër politik dhe në aspektin ideologjik nuk më përfaqëson, as para se me dalë këto audio-incizime, as tash.
Unë po e them se nuk më përfaqëson dhe nuk më ka përfaqësuar, as në aspektin ideologjik, në punën që e bëjmë, në ligjet që bëhen, punohen. Në aspektin e përfaqësimit, unë përfaqësoj vetën time dhe nuk më përfaqëson askush”, u shpreh ai.
I pyetur se a duhet të shkarkohet Kusari-Lila nga pozita e shefës së Grupit Parlamentar, ai nuk dha një përgjigje direkte, por shtoi se ky komunikim i Kusari-Lila “nuk është gjë e mirë që ka ndodhë”.
“Sot, s’kam mujtë me përcjell, se s’kam qenë në Kosovë, as s’jam marrë me të. Ajo çka pashë dje në përgjimet që janë bë, unë nuk është që kam ndonjë koment me thënë të drejtën. Por, komunikime të tilla mund të ketë në politikë shpeshherë. (Edhe me Milan Radojiçiqin?) Po deklarohet dhe vërtetohet fatkeqësisht që po, kështu që nuk është se kam ndonjë koment. Nuk është gjë e mirë që ka ndodhë, për shkak që është një person që është në kërkim edhe nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës dhe në listën e zezë të SHBA-së. Nuk do të duhej të kishte komunikim, nuk e di…”, tha ai, në Debat Plus.
Rrahmani më tutje shtoi se jo vetëm Kusari-Lila, por asnjë person nuk do të duhej të kishte diskutim me një person që është në kërkim nga Policia.