Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mosekzekutim të pagave ndaj mësimdhënësve grevistë, po i duket i pa drejtë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.
Deputeti i partisë e cila udhëheq me vendin thotë se për shkak të situatës ekonomike, pagat duhet të të ekzekutohen për punëtorët e arsimit.
Por, për punonjësit e arsimit Agusholli e ka një kusht.
“Unë mendoj se si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike, por në anën tjetër edhe mësimdhënësit duhet të japin premtimin që orët e humbura duhet të kompensohen”, ka thënë ai.
Përveç Agushollit edhe deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar të VV-së nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli, Eman Rrahmani, Jeta Statovci e Alban Bajrami kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që greva të rikthehet për shkak të mosekzekutimit të pagave.