Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë debatit parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19, Uka e ka quajtur Zemajn mashtrues dhe injorant për mos sigurimin e vaksinës sezonale.
Më tej, Uka tha se numrat e lartë me COVID-19 janë si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë nga Qeveria Hoti.
“Kjo foltore ka duruar aq shumë premtime të rrejshme nga kjo qeveri sa druaj që do të fillojë të flasë. Lista e gënjeshtrave dhe mashtrimeve është aq e gjatë sa nuk mjaftojnë minutat që i kemi në dispozicion si grup parlamentar për t’i thënë të gjitha. Prandaj sot do t’ju pyes këtu, si ndiheni kur e shihni këtë numër të infektuarve që kemi në Kosovë? Mbi të gjitha si e vlerësoni shkallën e vdekshmërisë? A e ndjeni veten përgjegjës për këtë që po ndodh, sepse nëse para disa ditëve na thatë se jeni përgjegjës për një sukses të imagjinuar si të mos jeni sot. Pse kjo zmbrapsje?”, tha Uka.
Tutje, deputeti Uka e akuzoi ministrin Zemaj edhe për mashtrimin me vaksinat sezonale.
“Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar publikisht se vaksinat për gripin sezonal nuk janë vonuar. Sinqerisht ose duhet të jetë injorant ose mashtrues i madh, ose të dyja bashkë që të konkludohet diçka e tillë, por kur do të vaksinoni popullatën kundër gripit sezonal. A e dini që deri në dhjetor një pjesë e popullatës e kalojnë gripin sezonal…tash kur nuk keni arritur të siguroni vaksinën kundër gripit sezonal, si mund të flisni për sigurimin e vaksinës anti-COVID. Një qeveri si kjo që nuk arrinte të sigurojë vaksinat që janë siguruar për herë me rregull nga qeveritë e korruptuar si mund të flas për vaksinën antiCOVID-19”, përfundoi Uka./Gazeta Sinjali/