Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke punuar për të gjetur një mekanizëm të duhur që i garanton komunitetit serb një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit. Sipas tij, përmes draft-vizionit për Asociacionin është ofruar baza e tij dhe tani përmes dialogut palët duhet të pajtohet për realizimin konkret të tij.
Rrustemi tha se ndërmjetësuesit e dialogut duhet të kenë të qartë se sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi duhet të jetë për secilën pikë dhe jo të fokusohet vetëm te neni shtatë, ku flitet për vetëmenaxhim.
“Ne jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ për të gjetur një mekanizëm adekuat që i garanton komunitetit serb një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit, në përputhje me praktikat evropiane dhe sidomos me Konventën kornizë për të drejtat e pakicave të Këshillit të Evropës. Gjithmonë të një projekti joterritorial që flet për mundësi që të realizimit të të drejtave të komunitetit serb si tërësi…Ne e kemi ofruar bazën dhe tash është pjesë e dialogut, takimeve që do të ndodhin në funksion të realizimit konkret. Baza është prezantuar dhe është e qartë, por palët duhet të pajtohen”, theksoi Rrustemi.
Deputeti i mazhorancës i vlerësoi edhe mesazhet amerikane që u dhanë gjatë kësaj jave për Asociacionin.
Duke folur për raportimin e këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së, Rrustemi tha se u dëshmua mbështetja amerikane që Asociacioni nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk mund t’i ngjasojë Republikës Srbska në Bosnje.
“Edhe qëndrimi i të dërguarit special të ShBA-së (Gabriel Escobar), por edhe këshilltarit Chollet ishte i qartë që Asociacioni nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk mund t’i për ngjasojë Republika Srbska-së dhe nuk mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Këto porosi ishin të qarta dhe janë të rëndësishme”, u shpreh ai për kp.
Në lidhje me betimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, por edhe të tre kryetarëve të tjerë të zgjedhur, Rrustemi tha se ai është detyrim ligjor, ku pas betimit do të funksionalizohen autoritetet lokale.
Ai potencoi se mund të jetë më sfiduese betimi i tre kryetarëve në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan sesa betimi që ndodhi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Megjithatë, Rrustemi kërkoi nga kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore që të kenë një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin serb atje.
Sidoqoftë, ai shtoi se në javën e ardhshme Kuvendi do të mbajë dy seanca plenare, njëra me pikat e papërfunduara dhe tjetra seancë e re plenare.