Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti, ka deklaruar se sot është kërcënuar dhe sulmuar verbalisht nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, Bulliqi e ka sulmuar derisa Hoti po kalonte kontrollin e sigurisë për të hyrë në objektin e Kuvendit.
Hoti thotë se Bulliqi i ka thënë që të mos ia përmend kurrë emrin nëpër fjalime në Kuvend.
“Pas sulmit verbal dhe tentimit për sulm fizik i kam thënë Bulliqit se po e toleroj në respekt të moshës së tij, por ç’është e vërteta po ndjej keqardhje për të gjithë ata studentë që ulën pranë një mësimdhënësi të tillë”, ka thënë ndër të tjera deputeti i LDK-së.
Kjo është deklarata e Hotit:
Ju njoftoj se sot derisa po hyja në Kuvendin e Kosovës nga hyrja e deputetëve jam përballur me një kërcënim sulm verbal nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Buliiqi.
Të nderuar kolegë deputet, më lejoni që të sqaroj në hollësi ngjarjen. Nga hyrja e deputetëve të Kosovës gjersa po kalonin procedurat e sigurisë jemi takuar me deputetin Bulliqi, i cili pasi e kam përshëndetur me mirësjellje ashtu siç e përshëndes secilin kolegë të Parlamentit, më është kthyer me sulm verbal dhe me kërcënim që mos t’ia përmend emrin asnjëherë në Parlament duke përsëritur atë disa herë.
Konsideroj se kjo kërkesë është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës sepse është sjellje joparlamentare.
Nëse nuk kam të drejtë të përmend emra në Kuvend më thoni, por këtë e kam të garantuar me Kushtetutë.
Deputeti Bulliqi nuk e di çka po e pengon kur po ia përmendi emrin atij, nëse dëshiron të më pezulloj nga puna ime për Komunën e Podujevës, sepse puna ime për këtë komunë por edhe për të gjitha komunat e Kosovës do të jetë konkrete e jo mashtruese.
Deputeti Bulliqi siç duket i kishte penguar deklarimi im i mbrëmshëm për Raportin e Auditimit për komunën e Podujevës, i cili demantonte deklarimet e Bulliqit se ky raport ishte i keq sa i përket performances së kësaj komune.
Në fund të fjalimit tim i kam sugjeruar Bulliqit që të shikoj mirë raportin vjetor të zyrës kombëtare të auditimit dhe të mos bëj shtrembërimin e informatave sepse sipas këtij raporti komuna e Podujevës ka opinion të pakualifikuar dhe kam kërkuar që ta kuptoj këtë term dhe se kam njoftuar se ky raport është më i miri në 10 vitet e fundit.
Kjo që kam thënë i paska penguar kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës dhe me veprimin e sot tregoj se asnjëherë nuk do të arrij të ulet në karriken e të parit të Llapit, sepse atij përveç se po i mungon mbështetja e llapjanëve po i mungojka edhe edukata elementare e mirësjelljes me kolegë dhe bashkëqytetarë.
Sepse mos harroni se ne vijmë nga i njejti qytet. Paramendoni kur të sillet kështu një kandidat për kryetar me një deputet, si mund të sillet me qytetarë të cilët nuk kanë mundësi të reagojnë sikurse unë në Parlament.
Pas sulmit verbal dhe tentimit për sulm fizik i kam thënë Bulliqit se po e toleroj në respekt të moshës së tij, por ç’është e vërteta po ndjej keqardhje për të gjithë ata studentë që ulën pranë një mësimdhënësi të tillë.
Unë nuk dua të viktimizohem por dua ta bëj publike sjelljen e tij për të cilën ne si grup parlamentar e posedojmë edhe video-incizimin. Do të doja të mbylljeje kjo çështje me një kërkim falje edhe pse kërkim falja nuk përmirëson sjelljen e tij, kërkoj nga ju kryetare e Kuvendit që konform rregullores së Kuvendit deputetit Bulliqi t’i shqiptohet masa e sjelljes së tij joparlamentare./Gazeta Sinjali/