Politikani i partisë Të Gjelbrit në Bundestag, Manuel Sarrazin, ka theksuar rëndësinë e një politike të koordinuar gjermano-franceze për Ballkanin Perëndimor.
Ai në një intervistë për Deutsche Welle, ka folur edhe për “non-papers”.
“Kam bindjen e thellë se të gjitha këto lojëra mendimesh – për mendimin tim edhe teste – kanë nevojë për një refuzim të qartë nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian: Kufijtë në rajon janë të paprekshëm dhe duhet të mbeten të tillë. Dhe unë jam shumë i lumtur, që ministri i Jashtëm Maas e ka formuluar aq bukur gjatë vizitës së tij në Kosovë se ideja e vizatimit të kufijve etnikë e ka vendin në koshin e historisë”, tha ai.
Por kësaj radhe, thotë Sarrazin, idetë e korrigjimit të kufijve po lançohen prej dhe me mbështetjen e anëtarëve të BE.
“Me sa duket brenda BE ka qëndrime të ndryshme dhe jo një refuzim të qartë. Së pari do të thoja se qëkur u shfaq diskutimi për këmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë, në fakt ishte e qartë – ai u largua nga tryeza përkohësisht – se aktorë të caktuar do të përpiqeshin, që afër përfundimit të erës Merkel ta testonin përsëri, nëse qëndrimi gjerman mbetet vërtet po aq i fortë, sa ç’ishte mbajtur atëherë nga kancelarja. Dhe prandaj është në radhë të parë e rëndësishme që qeveria gjermane të mbajë një qëndrim krejtësisht të qartë mbipartiak”, shtoi ai.
“Unë mund të them për partinë time, se ky qëndrim është shumë i qartë. Edhe Annalena Baerbock, për shembull, e theksoi personalisht edhe një herë këtë qëndrim në përvjetorin e përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. E dyta është, se na thuhet që kjo letër nuk vjen nga qeveria sllovene. Ndërkaq ka zëra, se njerëz të caktuar nga qeveria sllovene mund të kenë shkruar në të. Dhe unë e konsideroj këtë një zhvillim vërtet të rrezikshëm, të cilit i duhet përgjigjur me një angazhim të fortë nga Parisi dhe Berlini në Ballkanin Perëndimor”, tha tutje.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme që perspektiva e BE-së nuk ka qenë vetëm përgjigjja për luftërat e viteve nëntëdhjetë, por duhet të jetë përgjigjja e denjë për t’iu kundërvënë ideve të non-paper të tillë, ideve të rindarjes etnike.
“Dobësia e BE prezantohet nga njëra anë përmes një përçarjeje të mundshme në qendrimet e BE, por edhe përmes mungesës së besueshmërisë, që ne vërtet duam ta çojmë përpara me të gjitha forcat procesin e zgjerimit. Prandaj është tejet e rëndësishme që të zhvillohen negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, që ne të forcojmë përsëri besueshmërinë në BE. Nëse bëhen premtime të mbahen. Kosova i ka përmbushur prej kohësh kriteret teknike për liberalizimin e vizave. Kjo është arsyeja, pse ne po angazhohemi te qeveria gjermane, por edhe te partnerët tanë evropianë, që të miratojnë sa më parë liberalizimin e vizave. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm për rajonin se progresi është i mundshëm dhe gjithashtu një sinjal në të mirë të paqes në Kosovë”, tha ai.
Manuel Sarrazin është deputet i Bundestag-ut (Bündnis90 / Die Grünen) dhe President i Shoqatës së Evropës Juglindore, institucioni më i rëndësishëm këshillimor politik për çështjet e Ballkanit në Gjermani./Gazeta Sinjali/