image Shala: PDK-ja i duhet Qeverisë, unë votoj kundër vazhdimit të mandatit të Speciales

Kosovë

Shala: PDK-ja i duhet Qeverisë, unë votoj kundër vazhdimit të mandatit të Speciales

news image

Tashmë deputeti i AAK-së, Haxhi Shala mendon se për t’i përfunduar bisedimet me Serbinë, Kosovës i duhet një koalicion më i gjerë qeverisës, përfshirë PDK-në.

Shala ka thënë se përplasjet brenda koalicionit për çështjet e dialogut me Serbinë nuk e rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë.

“Ne kemi shfaq qysh në fillim qëndrimin se për temat e diskutuara më herët s’kemi pse të kthehemi prapa. Ka ardhur fundi i bisedimeve. Jemi lodhur me temat që janë diskutuar rrafsh që dhjetë vjet. Jemi kundër diskutimit të temave të biseduara deri tash. Kjo nuk e rrezikon qëndrueshmërinë e koalicionit. Janë vetëm biseda brenda koalicionit qeveritar. Secila parti duhet t’i shprehë idetë e veta”, ka deklaruar ai në Interaktiv.

Deputeti i AAK-së ka thënë se nuk është kundër pranimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion.

“Mbetet të shihet çka do të ndodhë, por nëse duhet të rritet pse të mos bëhet. Besoj se në këtë kohë vendit i duhet koalicion më i gjerë për të përfunduar bisedimet me Serbinë. Po përflitet që do të jetë PDK-ja. Ajo deklaroi se s’do të jetë pjesë në bisedime, por unë u bëj ftesë edhe PDK-së edhe VV-së të jenë të paktën në tavolinën e bisedimeve”, ka shtuar tutje ai.

Shala është njëri nga personat e ftuar nga Specialja, si i dyshuar. Ai ka bërë të ditur se në shtator do të shkojë për intervistim në Hagë.

“Para 3-4 ditësh kam marrë një ftesë nga hetuesit e Gjykatës Speciale në Kosovë, aty jam si i dyshuar dhe është data 8 shtator. Por, mbetet të shihet se kur na konvenon të shkojmë atje. Në ftesë shkruhet si i dyshuar dhe s’ka asnjë detaj tjetër. Kërkohen të gjitha dokumentet të sillen me vete dhe të dorëzohen në Hagë dhe kjo është standarde për të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së”, ka thënë Shala.

Ai thotë se do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të Speciales, sepse e konsideron të padrejtë si Gjykatë.

“Qëndrimi ynë ka qenë kundër edhe kur është votuar Gjykata. Unë nuk do të votoj për vazhdimin e kësaj, e konsideroj se është e padrejtë. Nëse sillet në Kuvend për vazhdimin e mandatit të Gjykatës, vota ime është kundër. Deputetët duhet të vendosin vet sesi duhet të veprojnë. Vota ime, sido që të jetë, prapë se prapë do të jetë kundër vazhdimit të mandatit të kësaj Gjykate. E ka marrë Kosova një obligim ndërkombëtar, por bashkësia ndërkombëtare është duke e neglizhuar. Sepse po shihet se nuk ka asgjë nga pretendimet e Dick Martyt”, ka thënë Shala. /Gazeta Sinjali