Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur me qëllim të votimit të Ligjit për buxhetin 2020, zgjati dhjetë orë, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë kësaj kohe deputetët thyen rregullat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për mosqëndrim në hapësirat ku ka shumë njerëz dhe që distanca mes njerëzve të cilët ndodhen në të njëjtën hapësirë të jetë të paktën një metër.
Ndërsa, me maska mbrojtëse në sallën e kuvendit u panë vetëm dy deputetet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj dhe Teuta Haxhiu.
Thyerjen e këtyre rregullave dhe rekomandimeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e arsyetoi me mungesën e sigurisë që një seancë e tillë mund të thirret në ditët ose javët në vazhdim.
“Kjo situatë është e pazakonshme, e pazakonshme edhe në kuptimin që ne nuk e kemi hasur një të tillë si qeveri e legjislaturë që prej çlirimit e këndej, bëhet fjalë për një pandemi botërore dhe ne urojmë që ditëve dhe javëve në vijim të arrijmë ta ulim shpejtësinë dhe gjeografinë e shtrirjes së kësaj pandemi, përkatësisht koronavirusit apo COVID 19. Edhe nuk nuk dëshironim që gjithçka të bëhet brenda një dite, por kemi konsideruar të mblidhemi sot edhe pse është e shtunë, meqenëse nuk ka garancion që mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me përhapjen e koronavirusit. Edhe kështu siç jemi në këtë sallë, në fakt, jemi në kundërshtim me rregullat të cilat ne vetë i themi, përshkak të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, tha Kurti para deputetëve. /Gazeta Sinjali/