image Deputetët nuk japin detaje për raportimin e shefit të AKI-së për hapjen e kasafortës në Presidencë

Kosovë

Deputetët nuk japin detaje për raportimin e shefit të AKI-së për hapjen e kasafortës në Presidencë

news image

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kreshnik Gashi ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, me hapjen e kasafortës më 6 nëntor në Zyrën e Presidencës.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë rast, ku një ditë pasi ish-presidenti Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ndodhi kjo ngjarje e pazakontë në Presidencë. Pikërisht në këtë institucion të lartë shtetëror, një zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë tentoi të ‘avullojë’ dokumente “Sekret” dhe “Top sekret” nga kasaforta e Presidencës.

Kjo kishte bërë që U.D e presidentit në detyrë, Vjosa Osmani, të denoncoj në polici këtë ndërhyrje.

Kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhelili, para gazetarëve ka thënë se raportimi i sotëm ishte vazhdim i një jave më parë, ku është kërkuar të kuptohet më shumë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, rreziqet dhe kërcënimet eventuale ndaj Kosovës.

Xhelili po ashtu bëri të ditur se është biseduar edhe për hapjen e kasafortës në Presidencë, duke theksuar se çdo institucion ka obligim dhe përgjegjësi të ruaj informacionin.

“Kjo çështje është aktualizuar shumë dhe është aktualizuar pa arsye, ne jemi duke kryer punën tonë por qasja jonë është serioze, që ky institucion të zbatoj ligjin të jetë kontribuues, duke përcaktuar mënyrat e qarkullimit të informacionit, në çdo institucion që ka obligim dhe përgjegjësi me ruajt informacionin”, tha Xhelili, raporton Gazeta Sinjali.

Në anën tjetër anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Arbër Rexhaj tha se anëtarët e këtij komisioni nuk janë për të dëmtuar reputacionin e Agjencisë dhe as Presidencës, ndërsa bëri të ditur se në lidhje me rastin e hapjes së kasafortës presin të marrin më shumë informacione.

“Si komision ,anëtarët nuk janë me dëmtu reputacionin, në ditën në vazhdim do të ketë sqarime të mëtutjeshme, ne jemi për ligjshmërinë në aspektin e përgjithshëm”, tha Rexhaj.

/Gazeta Sinjali/