image Departamenti i Shtetit heton emailat e Hillary Clinton

Botë

Botë/ Departamenti i Shtetit heton emailat e Hillary Clinton

news image

Administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump është duke hetuar mesazhet me email të dhjetëra ish-zyrtarëve të lartë dhe atyre aktualë të Departamentit të Shtetit.

Mesazhet e dërguara në llogarinë private të postës elektronike Hillary Clinton në kohën kur ajo ishte sekretare e Shtetit, po hetohen po ashtu, thanë ish-zyrtarë dhe ata aktualë të Departamentit të Shtetit.

Sipas zyrtarëve, hetuesit e Departamentit të Shtetit kanë kontaktuar rreth 130 zyrtarë gjatë javëve të fundit, përfshirë ata që iu përgjigjën drejtpërdrejt Clinton dhe zyrtarë të ulët, postat elektronike të të cilave përfunduan në postën e saj elektronike.

Sipas letrave, në të cilat gazeta “Washington Post” kishte qasje, hetuesit i informuan ata se postat elektronike që kishin dërguar disa vjet më parë, ishin klasifikuar në mënyrë retroaktive dhe tani përbëjnë një “shkelje të mundshme të sigurisë”.

Hetuesit e Departamentit të Shtetit kontaktuan me ish zyrtarët rreth 18 muaj më parë pasi Donald Trump u zgjodh president në zgjedhje dhe më pas dukej se kishte hequr dorë nga këto përpjekje por vazhdoi në gusht, shtuan zyrtarët.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë që ata po ndiqnin një protokoll standard në hetim, i cili filloi në ditët e fundit të administratës së ish-presidentit Barack Obama dhe e cila po i afrohet fundit.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje me atë se kush është në Shtëpinë e Bardhë,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili kërkoi të mbetet anonim, duke shtuar se u deshën rreth tre vjet për të parë miliona emaila.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit mohojnë se hetimi ka ndonjë motiv politik dhe theksojnë se postat elektronike u shqyrtuan nga burokratët e karrierës, të cilët nuk dinin emrat e atyre që ishin objekt i hetimit.

“Washington Post” shkruan se ata që janë nën hetim, nuk duket se po përballen me ndjekje penale pasi që hetimi i postës elektronike të FBI-së për rastin Clinton u mbyll para zgjedhjeve të vitit 2016, por shton se shumë kanë frikë se rezultati i hetimit do të dëmtojë reputacionin e tyre dhe do të komplikojë aftësinë e tyre për të trajtuar kontrollet e sigurisë./Gazeta Sinjali/