Samiti për Demokraci që organizohet për herë të parë, do të zhvillohet virtualisht më 9-10 dhjetor, dhe në të do të marrin pjesë liderë nga shumë vende të botës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe sektori privat.
Deri tani është diskutuar mjaftë shumë për mos-ftesën e Kosovës nga ShBA-ja por sot, Zëri i Amerikës ka raportuar në gjuhën serbe se ka marrë vesh nga disa burime në Uashington se ka mundësi që Kosova dhe Serbia të ftohen në këtë Samit.
Mirëpo, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë për REL se ftesat nuk janë publike andaj nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ftesat.
“Ne do të vazhdojmë të theksojmë se ky Samit synon të jetë gjithëpërfshirës nga një skemë e larmishme rajonale dhe socio-ekonomike e demokracive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim”, tha ai.
Në listën e publikuar jozyrtarisht nga e përditshmja amerikane, Politico, nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samit nuk është ftuar Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Në anën tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar.
Lista e të ftuarve ende mbetet në nivel informacionesh jozyrtare. /GazetaSinjali/