Budak Shala, zyrtar për çështje pronësore-juridike në Komunën e Pejës është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe gjobë prej 200 eurosh. Për dyshimet lidhur me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit’ që më vonë është iniciuar si vepër penale ‘mashtrimi’, Shala, është denoncuar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali jepen detaje se për cilin rast bëhet fjalë.
Aty thuhet se i akuzuari më 28.04.2018, me dashje me anë të paraqitjes së rrejshme të fakteve e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, e ka vënë në lajthim personin tjetër duke e nxit që të kryej një veprim në dëm të pasurisë.
Ai ka vënë në lajthim edhe të dëmtuarin, kryetarin Gazmend Muhaxherin.
“Perderisa Budak Shala ishte duke punuar ne Komunën e Pejës me marrëveshje për Shërbime të Veçanta, si zyrtar për çështje pronësore-juridike, pas skadimit të marrëveshjes, ka vazhduar i papenguar t’i kryej të njejtat punë dhe detyra të punës, në pritje të shqyrtimit të konkursit për atë vend pune”.
Në aktgjykim thuhet se ai ka përpiluar një vendim kinse të aprovuar nga bordi i drejtorëve të KK-së në Pejë, “ja ka dërgu për nënshkrim Kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxherit, të cilin e vë në lajthim duke u prezantuar si zyrtar. Ky i fundit pa e kontrolluar vendimin së bashku me disa vendime të tjera e ka nënshkruar vendimin lëndorë, me të cilin vendim e zgjedh kontratën e kompanisë ‘Citroen’ në Vitomiricë. Përveç të tjerash i është njohur e drejta si operator ekonomik kontraktues, që sipas asaj kontrate, t’i bëhet kompensimi ditor për çdo veturë në ruajtje, në shumë prej 5 eurosh. Mbi të cilin vendim operatori ‘Citoren’, ka parashtruar kërkesë për ekzekutim, duke tentuar që të dëmtuarës, Komunës së Pejës, t’i shkaktojë dëm material për shumën totale 414.998 euro, por vendimi pasi ishte vërtetuar nuk është ekzekutuar fare”.
Siqodoftë, dënimi me burgim ndaj Budak Shalës nuk do të ekzekutohet me kusht që i akuzuari në afat prej një viti nuk do të kryej ndonjë vepër të re penale.
Ndërsa dënimin me gjobë detyrohet ta paguaj në afat prej 15 ditësh.