image Dënohet për dy vjet me kusht për mashtrim në tentativë

Kosovë

Drejtësi/ Dënohet për dy vjet me kusht për mashtrim në tentativë

news image

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar me dy vjet heqje lirie B.SH., për mashtrim në tentativë, të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuajë nëse në kohëzgjatje prej një viti nuk kryen vepër të re penale.

B.SH.  më 28.04.2016, në Komunën e Pejës, me anë të paraqitjeve të rreme të fakteve e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, e ka vënë në lajthim personin duke e nxitë që të kryejë një veprim në dëm të pasurisë në atë mënyrë që përderisa deri më datë 15.04.2016 ishte duke punuar në Komunën e Pejës me kontratë mbi vepër si zyrtar për çështje pronësoro-juridike, ka përpiluar vendimin kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të KK-së në Pejë, e pastaj ja ka dërguar për nënshkrim kryetarit të Komunës së Pejës, të cilin e vë në lajthim.

Kryetari pa e kontrolluar, së bashku me disa vendime të tjera, e ka nënshkruar vendimin në fjalë me të cilin vendim një kompanie në Pejë, përveç tjerave, i është njohur e drejta si operator ekonomik kontraktues që sipas kontratës t’i bëhet kompensimi ditor për çdo veturë në shumë prej pesë euro, e mbi bazën e të cilit vendim, operatori ekonomik në fjalë, ka parashtruar kërkesë për ekzekutim, duke tentuar kështu që të dëmtuarës Komuna e Pejës, t’i shkaktojë dëm material në shumën totale prej 414.988 euro, por që ky vendim nuk është ekzekutuar.

I pandehuri u detyrua që gjykatës në emër të paushallit gjyqësor t’ia paguajë shumën prej 40 euro ndërsa, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Të dëmtuarit Komuna e Pejës – G.M dhe J.A, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.

Ndryshe, kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Gazeta Sinjali/