Drejtësia në Iran dënoi me vdekje një person, ndërsa dy të tjerë me burgime të gjata, pasi, siç tha, ata spiunuan për Agjencinë Qendrore të Inteligjenës në Shtetet e Bashkuara – CIA.
Gjykata e Lartë e Iranit e konfirmoi dënimin me vdekje për Amir Rahimpour, i cili ka spiunuar dhe ka bërë përpjekje të kalojë informacione rreth programit bërthamor të Iranit te SHBA-ja, tha zëdhënësi i gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Esmaili.
Ai shtoi se dënimi do të ekzekutohet së shpejti. Esmaili nuk dha detaje se për çfarë saktësisht akuzohet Rahimpour dhe as për moshën apo sfondin e tij. CIA nuk ka dalë ende me ndonjë deklaratë.
Dy persona të tjerë, që punojnë për një organizatë bamirëse, u dënuan me nga 15 vjet burgim, nën akuzat se kanë spiunuar për CIA-n dhe kanë vepruar kundër sigurisë kombëtare të Iranit, tha po ashtu Esmaili.
Emrat e tyre nuk u bënë publikë. Irani ka dënuar edhe më parë spiunë të dyshuar për SHBA-në dhe Izraelin. Shahram Amiri është spiuni i fundit i supozuar që është varur në gusht të vitit 2016.