Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.B, i akuzuar për “trafikim me njerëz” dhe të pandehurit B.B, për veprën penale “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjykata e ka shpallur fajtor, duke e dënuar me tre vjet burgim dhe me 300 euro gjobë H.B, të akuzuarin për veprën penale “trafikim me njerëz”.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër për veprën penale “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” me iniciale B.B., është dënuar me tre vjet burgim.
Të dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për akuzat që rëndonin mbi ta.
Sipas aktakuzës, H.B gjatë vitit 2020 në Ferizaj dhe Kaçanik, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete, ka keqpërdorur në vazhdimësi pozitën e ndjeshme të viktimës N.Xh. e cila është me prapambetje mendore, në atë mënyrë që të njëjtën e ka mbajtur nën kontroll dhe e ka shfrytëzuar për qëllime seksuale, duke siguruar persona të ndryshëm ndër ta të pandehurit B.B, A.B, G.R, G.D, I.D dhe Sh.B, që të kryejnë marrëdhënie seksuale me të në këmbim të parave, të cilat para më pas i merr për vete.
Ndërsa, i pandehuri B.B akuzohet se nga muaji janar deri në muajin gusht 2020, në Kaçanik dhe Ferizaj, ka shfrytëzuar shërbime seksuale të viktimës së trafikimit, edhe përkundër faktit se ka qenë në dijeni se viktima N.Xh. është person posaçërisht i ndjeshëm për shkak të prapambetjes mendore.
B.B fillimisht e kishte kontaktuar të pandehurin H.B, i cili ia kishte ofruar viktimën për të kryer marrëdhënie seksuale me pagesë, duke ia dërguar në vende të caktuara, herë në Kaçanik në banesën e tij, e herë në motele e podrume banesash në Ferizaj, ashtu që pas shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktima, të njëjtën e ka paguar në shumë prej 5-10 euro, e të cilat para e njëjta me pas ia ka dhënë të pandehurit H.B.
Kryetari i trupit gjykues ka veçuar procedurën penale kundër të akuzuarve G.D dhe G.R, pasi që të njëjtit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale siç i ngarkon aktakuza, ndërsa të akuzuarit A.B dhe Sh.B, për shkak se nuk ka mund të sigurohet prania e tyre.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Gazeta Sinjali/