Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë e ka dënuar me 18 muaj burgim Mërgim Salihun, i cili akuzohet për rrezikim të trafikut publik, transmeton Gazeta Sinjali.
I akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, ndërsa për kompensim të viktimave shumën prej 30 euro.
Gjithashtu të akuzuarit do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Përveç dënimit kryesor, të pandehurit iu shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalim i drejtimit të automjetit, në afat prej dy vitesh pas përfundimit të dënimit.
Palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor, ndërkaq e dëmtuara familja Hyseni për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
I akuzuari e kishte goditur me automjetin e tij këmbësorin S.H. i cili ishte duke e trupuar rrugën nga ana e majtë për në të djathtë, nga drejtimi i lëvizjes së automjetit, me ç’rast si pasojë viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Vendimi i Prokurorisë Themelore në Gjilan:
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Mërgim Salihut, me arsyetimin se ai më 21 shtator 2020, rreth orës 19:00, në rrugën “Adem Jashari” në Kamenicë, ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre. Sipas aktakuzës, i akuzuari duke drejtuar automjetin e markës “VW Golf V”, nga pakujdesia, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushteve të rrugës në mënyrë që ta ndali para çdo pengese të paraqitur në rrugë, ku një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit për Rregullat e Trafikut, ashtu që me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij e godet këmbësorin S. H., i cili ishte duke trupuar rrugën nga ana e majtë për në anën e djathtë, nga drejtimi i lëvizjes së automjetit, me ç’rast si pasojë e kësaj goditje tani i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Me këtë, Mërgim Salihu akuzohet se kryer veprën penale, “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).