image Dënohet me burgim ish-shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit dhe katër të tjerë

Drejtësi

Dënohet me burgim ish-shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit dhe katër të tjerë

news image

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë aktgjykim dënues ndaj ish-shefit të kabinetit të Gazmend Muhaxherit dhe katër personave të tjerë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ish-shefi i kabinetit të Muhaxherit, Durim Sheremi, u dënua me gjashtë muaj burgim për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Të njëjtit dënimi me gjashtë muaj burgim i është zëvendësuar me 7 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës, Durim Sheremeti më 19 shtator të vitit 2017, sa ishte në pozitën e shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit Komunal në Pejë, me dashje i tejkalon kompetencat e tij, duke nënshkruar raportin për pranimin e mallit me titull “Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë”, në vlerë prej 11 mijë e 929 euro e 41 centë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo kontratë nuk ishte nënshkruar nga menaxheri i projektit, F.Z., për shkak se makina që është sjellë nga operatori ekonomik, nuk ishte sipas projektit të kërkesës, sipas përmasave dhe specifikave të përcaktuar në tender, si në para.

Makina të cilën e kishte sjellë operatori ekonomik ishte në vlerë të 2 mijë eurove, andaj me këtë veprim Sheremeti, sipas gjykatës, e ka dëmtuar buxhetin e Komunës për shumën prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë, duke i mundësuar njëkohësisht përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit I.K, dobi në shumë prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë.

Me këtë veprime, gjykata vlerëson se Durim Sheremeti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, G.L, R.Zh dhe G.Sh, më 19 shtator të vitit 2017, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, pasi që kanë nënshkruar raportin për pranimin e kësaj makine, ani pse nuk kishin një vendim në formë të shkruar, se ata janë caktuar si anëtarë të komisionit.

Sipas aktakuzës, ata kanë nënshkruar pranimin e mallit pa e kontrolluar fare se a i plotëson kushte e specifikuara në specifikimin teknik e cila është pjesë përbërëse e kontratës.

Ata e kanë nënshkruar këtë vendim, pa prezencën e menaxherit të projektit F.Z dhe pa prezencën e furnizuesit (operatorit fitues), edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet  bërë verifikimin se makina e sjellë nga operatori ekonomik a është sipas përmasës, përllogarisë dhe specifikave të përcaktuara me kontratë, ashtu edhe në para në vlerë prej 2 mijë euro dhe me veprimet e tyre, me këtë rast buxheti i K.K Pejë, është dëmtuar në shumën prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë, gjersa operatori ekonomik, ka përfituar shumën prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë.

Kështu, gjykata vlerëson se secili veç e veç kanë kryer vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.

I pandehuri I.K, si pronar i firmës G.C– SH.P.K , me anë të paraqitjes së rreme  të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti, i ka shkaktuar dëm K.K Pejë, në vlerë prej 9 mijë e 929 euro e 41 centë, në atë mënyrë që pasi ka fituar tenderin nga K.K Pejë, me titull kontrate “Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë”, në vlerë prej 11 mijë e 929 euro e 41 centë.

Gjykata vlerëson se i pandehuri nuk u është përmbajtur kushteve të tenderit, ku në shënimin e autoritetit kontraktues është paraparë se vendi i origjinës së makinës do të jetë Turqia dhe firma prodhuese e makinës U F, si dhe specifikave të përcaktuara për atë makinë nga pika 1 deri në pikën 5, ku specifikohen në tërësi karakteristikat e makinës, ashtu që i pandehuri nuk e ka sjell makinën sipas kontratës së firmës U F por të firmës A, dhe jo të vendit të origjinës sipas kontratës – Turqia por, me vend origjine nga Sllovenia.

Po ashtu, kjo makinë e sjellë nga i pandehuri, është një makinë për prerje bari me çmim të tregut prej 2 mijë euro dhe po ashtu nuk ka ofruar e as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës, faturë të blerjes dhe dëshmi për origjinën e mallit dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm K.K. Pejë në shumë prej  9 mijë e 929 euro e 41 centë.

Me këto veprime i pandehuri I.K ka kryer vepër penale “mashtrim” nga neni 335 par.3. lidhur me par.1. të KPRK-së.

Të pandehurit D.SH, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, e të cilin dënim do ta vuaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Konform nenit 47 të KPRK-së, gjykata të pandehurit, me pëlqimin e tij, dënimin me burg ia zëvendëson me dënim me gjobë në shumë prej shtatë mijë €, e të cilin dënim me gjobë, i pandehuri është i obliguar që ta paguajë në afat prej tre muajve, pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

E po qe se nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuat, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burg ku një ditë burgu do t’i  llogaritet në shumë prej njëzet euro.

Të njëjtit iu shqiptua dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik, në kohëzgjatje prej dy viteve pas vuajtjes së  dënimit.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajë shumën prej një qind euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësorë, shumën prej pesëdhjetë euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.   

Të pandehurve G.L, R.ZH dhe G.SH, secilit veç e veç gjykata u shqiptoi dënim me kusht ashtu që ia përcaktoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajve e të cilin dënim me burg, të pandehurit nuk do ta vuajnë nëse në afat prej një viti nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Ndërsa, propozimi i prokurorit të shtetit, që të pandehurve secilit veç e veç t’iu shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publike, u refuzua ngase të pandehurve i është shqiptuar dënim me kusht.

Të pandehurit secili veç e veç u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës t’ia paguajnë shumën prej një qind euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësorë, shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Të pandehurit I.K, gjykata i shqiptoj dënim me burg ashtu që ia përcaktoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, e të cilin dënim do ta vuaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Konform nenit 47 të KPRK-së, gjykata të pandehurit I.K, me pëlqimin e tij, dënimin me burg ia zëvendëson me dënim me gjobë në shumë prej pesë mijë euro, e të cilin dënim me gjobë, i pandehuri është i obliguar që ta paguaj në afat prej tre muajve pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/