Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur sot fajtor të akuzuarin S.R., për veprën penale “Vjedhje”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të kësaj gjykate, S.R., më 5 shkurt të vitit 2018, kishte hyrë në një lokal në Prizren dhe kishte kërkuar ujë nga punëtorja e lokalit.
Kur ajo kishte shkuar për t’i sjellë ujin, S.R., sipas gjykatës, ia kishte vjedhur asaj portofolin, në të cilën ajo kishte para, kartelën e bankës, letërnjoftimin dhe patentë shoferin.
Kësisoj, gjykata vlerëson se me këto veprime ai ka kryer veprën penale “Vjedhja”.
Me këtë rast, gjykata e ka dënuar S.R., me 1 vit burgim dhe 300 euro gjobë.
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
“I akuzuari S.R., në shqyrtimin fillestar e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/