image 18 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Podujevë

Drejtësi

18 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Podujevë

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot, e ka shpallur fajtor Sedat Llugaliun dhe e ka dënuar me 18 vite burgim ndërsa vëllain e tij, Fejard Llugaliun me 3 vite e gjysmë burgim për armëmbajtje pa leje, njofton Gazeta Sinjali.

Sedat Llugaliu është liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë” do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 8 shkurti 2016.

Kurse, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, nuk është arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Ndërsa, gjykata të akuzuarve Llugaliu në emër të paushallit i ka obliguar që të paguajnë shumën prej 400 euro, ndërsa të akuzuarin Sedat Llugaliun e ka obliguar që të paguajë edhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Po ashtu me këtë vendim, gjykata të akuzuarve iu ka konfiskuar sendet me të cilat është kryer vepra penale.

Kurse, pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Gjykatësi Krasniqi i ka njoftuar palët se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditëve.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019 kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e kishte liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.

I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Fejard Llugaliu ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Të pakënaqur më këtë aktgjykim, palët kishin ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, për këtë vrasje, i akuzuar është edhe Esat Llugaliu, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura, pasi në natën kur kishte ndodhur ngjarja, ai ka pësuar lëndime trupore të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”

/GazetaSinjali/