Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.T., O.T., M.T., I.T., për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.
“Gjykata ka konstatuar se arresti shtëpiak është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi të pandehurit nëse lihen në liri, mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar në të dëmtuarin A.M. apo dëshmitarë të tjerë në kryerjen e veprës penale. Gjithashtu të njëjtit nëse do të lihen në liri, ekziston rreziku se mund të përsërisin veprën penale”, thuhet në njoftim.
S.T., O.T., M.T., I.T., me banim në lagjen e 28 në Fushë Kosovë, më 29 prill 2020, rreth orës 21.55, për shkak të një mosmarrëveshje me të dëmtuarin A.M, ishin përfshirë në një rrahje, e cila kishte rezultuar me lëndim të rëndë trupor.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./GazetaSinjali/