image Dënohen me 14 mijë euro të akuzuarit për kontrabandim me mallra dhe dhënie të ryshfetit

Drejtësi

Dënohen me 14 mijë euro të akuzuarit për kontrabandim me mallra dhe dhënie të ryshfetit

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, L.S., për kontrabandim të mallrave dhe dhënien e ryshfetit, ndaj F.R., dhe A.M., të akuzuar për dhënie të ryshfetit, shkruan Gazeta Sinjali.

L.S., i akuzuar për kontrabandë me mallra dhe dhënie të ryshfetit u dënua me 10 mijë euro, F.R., u dënua me 500 euro dhe 3 muaj burgim, ku me pëlqimin e tij është zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 500 euro, kurse A.M., u dënua me 500 euro, që me pëlqimin e tij dënimi i tij u zëvendësua me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

“I pandehuri L.S. akuzohet se nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturë i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1,385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos-garazhës së tij, gjenden dhe sekuestrohen edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16,290.00 pako, vlera e përgjithshme e të cilave kap shumën prej 80,061.06 euro.

I njëjti më 18.05.2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

I pandehuri F.R. akuzohet se më 19.03.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 20 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

I pandehuri A.M. akuzohet se më 21.03.2021, në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtarë, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 50 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /GazetaSinjali/