image Dendias dëshiron të udhëheqë misionin e ndihmës për Mariupolin

Botë

Dendias dëshiron të udhëheqë misionin e ndihmës për Mariupolin

news image

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar që të udhëheqë një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit.

Dendias tha në një konferencë për media në Athinë më 22 mars se për të nderuar Manolis Androulakis, diplomatin e fundit evropian që u largua nga Mariupoli, ai kishte vendosur kontakte me kreun e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të koordinuar përpjekjet për dërgimin e ndihmës.

I kam dërguar një notë verbale palës ukrainase duke kërkuar për lehtësim të dërgimit të ndihmës humanitare në Mariupol dhe një tjetër notë verbale palës ruse duke i kërkuar që të mos pengojë këto përpjekje”, tha ai.

Planifikoj që vet të marr pjesë në dërgimin e kësaj ndihme”, vazhdoi Dendias.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka kryer vazhdimisht sulme ajrore dhe me artileri të rëndë, në përpjekje që të marrë kontrollin e këtij qyteti-port, që ka rëndësi strategjike, pasi do t’i mundësonte Rusisë që të krijonte një lidhje tokësore mes Krimesë dhe zonave lindore ukrainase.

Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Ndërkaq, rajonet lindore ukrainase aktualisht kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Vlerësohet se mbi 200,000 civilë mbeten të bllokuar në Mariupol pa ujë, rrymë dhe furnizime ushqimore, shkruan REL.

Androulakis, ishte konsull i përgjithshëm i Greqisë në Mariupol, ku shumë marinarë grekë po ashtu ishin të bllokuar për shkak të luftimeve dhe u deshën gjashtë operacione të evakuimit për t’i larguar ata nga qyteti.

/GazetaSinjali/