Demokratët e presidentit Joe Biden në ShBA i janë afruar edhe më shumë ruajtjes së kontrollit të Senatit, kur kandidati i tyre në Arizona, Mark Kelly, raportohet ta ketë fituar garën në këtë shtet.
Tri ditë pas hedhjes së votave nga amerikanët, televizioni CBS ka vlerësuar se demokrati Kelly e ka mposhtur rivalin nga Partia Republikane, Blake Masters.
Kështu, demokratët kanë siguruar 49 ulëse në Senat, aq sa kanë edhe republikanët. Gara nuk është vendosur ende vetëm edhe në Nevada dhe Georgia, raporton televizioni BBC.
Gara në Nevada është mjaft e ngushtë, ndërsa në Georgia do të mbahet balotazh muajin e ardhshëm. Nëse demokratët fitojnë në njërin nga këto shtete, ata do ta mbajnë kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit, sepse e kanë edhe votën e nënpresidentes Kamala Harris.
Sidoqoftë, Partia Republikane ka më shumë gjasa për ta marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që është dhoma e ulët e Kongresit, sepse tash për tash është në epërsi për disa ulëse.