Për shkak të situatës së rëndë të krijuar pas erërave të forta në dy netët e kaluara, sot u mbajt mbledhja emergjente e bordit të drejtorëve të Komunës së Pejës.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan raportet e drejtorëve të cilët paraqiten informata për dëmet e shkaktuara në shkolla, qendrat mjekësore, objektet bujqësore, gjendjen e rrugëve, dëmet në prona private, në zyrat administrative, objektet sportive dhe kulturore etj.
Si konkluzion u krijua shtabi i emergjencës të cilin e kryeson Muhamet Mahmutaj, drejtor, të cilët do ta marrin situatën në menaxhim, do të pranojnë dhe do të shqyrtojnë kërkesat e qytetarëve dhe do të kujdesen për rritjen e sigurisë në qytet.
U konstatua se janë shkaktuar dëme të mëdha në disa objekte shkollore kështu që ato e kanë ndërprerë mësimin. Shkollat e tjera janë inkurajuar që të vendosin së bashku, drejtorët me këshillin prindëror të shkollës, nëse ka kushte për mbajtjen e mësimit apo jo. Shtabi kërkon që shkollat të marrin vendime duke vendosur në prioritet sigurinë e nxënësve.
Ekipet emergjente do të dalin në terren gjatë gjithë kohës për të vlerësuar situatat e krijuara nga erërat. Qytetarët që kanë pësuar dëme nga erërat e forta, këshillohen që të bëjnë fotografi, të përshkruajnë dëmin dhe ta dorëzojnë në Drejtorinë e Emergjencës dhe ekspertët do ta shqyrtojnë lëndën.
Bazuar në dëmet e raportuara deri tani, duket se dëmet janë të mëdha. Meqenëse komuna i ka kapacitetet e kufizuara financiare, në ditët në vijim Komuna thotë se do t’i drejtohen edhe nivelit qendror për të kërkuar ndihmë për që të riparohen dëmet e shkaktuara. /Gazeta Sinjali/