image Del përballë gjyqtarit i dyshuari për therjen me thikë të policëve në Prizren, kërkohet paraburgimi i tij

Drejtësi

Del përballë gjyqtarit i dyshuari për therjen me thikë të policëve në Prizren, kërkohet paraburgimi i tij

news image

Shtëpia e familjes Galan në lagjen ‘Dardania’ të Prizrenit, para disa ditësh u shndërrua në skenë krimi. Kjo pasi që djali i familjes, Caneri, dyshohet se sulmoi me thikë tre zyrtarë policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës, njëri prej të cilëve pësoi plagë të rënda.

Për këtë rast, Galani ka dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, për caktimin e masës së sigurisë.

Këtë e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Gjykata Themelore në Prizren. Zëdhënësi Marcel Lekaj njoftoi se ndaj të dyshuarit është bërë kërkesa për paraburgim.

“Sot me datë 19.09.2022, Gjykata Themelore në Prizren, për të pandehurin C.G., nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren ka pranuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit C.G. për veprën penale sulm i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, nga neni 402 paragr.2 lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal”.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për vendimin e Gjykatës.

Por si ndodhi gjithçka?

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në ditën kritike Galan ishte nën ndikim të substancave narkotike dhe si pasojë e kësaj kishte shkaktuar telashe në familjen e tij duke u mbyllur në dhomë dhe duke refuzuar t’i marrë medikamentet.

Zyrtarët policorë të NJRSH-së kanë shkuar në vendin e ngjarjes pas kërkesës për asistim nga patrulla e Policisë të cilët nuk kishin arritur që ta vënë në kontroll të dyshuarin.

Me të arritur në vendin e ngjarjes, policët që u përballën me 37-vjeçarin, janë sulmuar me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Policia ka gjetur edhe bimë narkotike në shtëpinë e Galan dhe i njëjti dyshohet se është përdorues i drogës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/