image Deklarohet Policia: Djali i gruas së vrarë në Llaushë kërkoi që nëna të kthehet në shtëpi më 1 janar - Sinjali

Deklarohet Policia: Djali i gruas së vrarë në Llaushë kërkoi që nëna të kthehet në shtëpi më 1 janar

news image

Mbrëmjen e së mërkurës, në fshatin Llaushë të Skenderajt ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku bashkëshorti ka shtënë me armë zjarri ndaj gruas së tij, e cila si pasojë e plagëve të marra ka vdekur rrugës për në spital.

Por, katër ditë para ngjarjes tragjike, policia kishte pranuar një informacion se në të njëjtën familje, kishte ndodhur një mosmarrëveshje.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka treguar se si kishte ndodhur rasti i cili ishte iniciuar si “Dhunë në familje”, më datë 1 janar.

“Policia e Kosovës, përmes linjës emergjente në Mitrovicë Jugu me datën 01.01.2022 kishte pranuar informacion se në një familje në fshatin Llaushë, kishte ndodhur një mosmarrëveshje familjare dhe bazuar në informatën e pranuar menjëherë ka angazhuar zyrtarët policorë të Skenderajt, të cilët i janë përgjigjur rastit. Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore ku nga kontakti i parë me viktimën, dëshmitarin dhe të dyshuarin kishin vërejtur dyshime se në familjen e tyre kishte ndodhur një mosmarrëveshje”, kështu thuhet në komunikatë.

Sipas policisë, viktima kishte deklaruar se bashkëshorti nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, e po ashtu se nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune te viktima.

“Edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skenderaj. Me të arritur palët në stacion policor, me rastin ka filluar të merret hetuesi primar i dhunës në familje në kuadër të stacionit e cila: Kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Pune Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje, policia deklaron se është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila ka kërkuar që lënda t’i dërgohet në mënyrë elektronike, pasi sipas saj, mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista.

“Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila kishte kërkuar që lënda të dërgohet në formë elektronike tek e njëjta, pasi e njëjta ka sqaruar se mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista, përjashtuar në disa raste të caktuara, por lëndën hetuesit ua përcjellin në formë elektronike, përveç nëse prokurori udhëzon ndryshe”.

Sipas policisë, hetuesja e dhunës në familje kishte inkurajuar ankuesen që të shkojë për kontrolle mjekësore, por e njëjta nuk kishte pranuar, pasi nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike.

“Po ashtu hetuesja e dhunës ne familje kishte inkurajuar ankuesen/viktimën që të shkojnë për kontrolle mjekësore por e njëjta nuk kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike”, thotë policia.

Sipas policisë, ankueses iu kishte prezantuar mundësia për të ia siguruar urdhrin mbrojtës dhe për t’u strehuar në strehimore, por djali i saj kishte insistuar që nëna të kthehet në shtëpi, e të mos shkojë as te familja e saj, pasi ai do të kujdeset që prindërit të mos kenë probleme në mes vete.

“Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhrin mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur ti dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndroj në familje e jo të dërgohet në strehimore”, ka njoftuar policia.

Atë ditë, policia ka intervistuar edhe djalin e saj, në cilësi të dëshmitarit.

Policia ka deklaruar se në rastin e vrasjes, më 5 janar, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform autorizimeve ligjore.

“Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, ka deklaruar policia./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin