image Deklarata e plotë e Kurtit pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Politikë

Deklarata e plotë e Kurtit pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare

news image

Kryeministri Albin Kurti pati një konferencë për media bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kurti tha para gazetarëve se Serbia po kërcënon me luftë edhe 23 vjet pas përfundimit të saj. Kurti tha se Beogradi zyrtar po flet njësoj si atëherë dhe se nuk po e fsheh dëshirën për luftë.

Fjala e plotë e Kurtit në konferencën për media:

Të dashur qytetarë

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit që keni ardhë në këtë konferencë të jashtëzakonshme të qeverisë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës.

Ajo që ne e dinim në të vërtetë gjatë gjithë kohës, u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme dhe përkundë të gjithë atyre që mendonin ndryshe.

Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e të trupave të saj ushtarake të cilët gati para gati çerek shekulli patën kryer gjenocid kundër popullit tonë dhe dogjën e shkatërruan pronën e pasurinë tonë.

Beogradi zyrtare sot po flet e sillet si para 23 viteve dhe madje udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh me në krye ish- ministrin e informatave të Millosheviqit dhe ish zëdhënësin e partisë së Millosheviqit.

Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë pra në esencë kërkon të vazhdojë luftën, luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999.

Andaj edhe mohimi i shtetit të Kosovës dhe i pavarësisë nga ana e Serbisë përbën kërcënim të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për ekzistencën tonë.

Paqja në Kosovë erdhi pas rezistencës së popullit tonë dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake NATO-së pra me një koalicion të demokracive më të avancuara në botë ndaj një regjimi fashist e gjenocidal siç ishte ai i Millosheviqit.

Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisaarit ishte kompromis i dhimbshëm që në mes të kundërshtimeve e protestave të mëdha popullore, u pat vendosur si solucion përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fiton të drejta të garantuara, e të zgjeruara, e të rezervuara, të papara më herët jo vetëm në rajonin tonë.

Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së Pavarësisë dhe pas më shumë se një dekade dialogu në Bruksel.

Ajo që na shpërfaqej si normalizim e integrim në veri të vendit, ishte njëfarë kompromisi me bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi e që në variantin e butë quheshin struktura ilegale.

Me kriminelë si Radoiçiq e Veselinoviq bëhej marrëveshje edhe për të formuar qeverinë e Kosovës edhe për të blerë qetësinë në veri të vendit ku pasi kishin nënshkruar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të dërgohej atje, tolerohej kontrabanda, zgjedhjet e Serbisë, dinari Serb, targat ilegale të Serbisë me denominime të qyteteve të Kosovës, mos pagesa e taksave as lokale e as qendrore, mos pagesa e furnizimit me ujë me energji elektrike etj.

Në thelb kjo përbën mos ushtrim të obligimeve kushtetuese e detyrimeve ligjore. Andaj edhe një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik, evropian e proesperues siç është Republika e Kosovës ku sundimi i ligjit është i padiskutueshëm. Sundimi i ligjit është dëshmia që kemi Republikë mbi qeverinë dhe kemi rregull të përbashkët mbi çfarëdo politike të pjesshme.

E kemi thënë edhe nga dita e parë prej se e kemi marrë detyrën, e them edhe tash se qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëbisedim e bashkëpunim me komunitetin Serb në Kosovë, me të gjithë serbët të cilët kanë të drejta të rezervuara e të garantuara e të cilat ata do të duhej t’i shfrytëzojnë.

Ne jemi qeveria më demokratike dhe më progresiste në rajon. Duam që komuniteti Serb në Kosovë të marrë pozitat që u takojnë me kushtetutën tonë; të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të ulen pranë nesh në parlament e në kabinetin qeveritar në mënyrë që bashkë të marrim vendimet për qytetarët e republikës.

Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë, që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Fatkeqësisht, Serbia, përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar këtë ambient të mungesës së sundimit të plotë të ligjit në veri për një kohë të gjatë, ka mbajtë dhe po mban peng qytetarët serbë.

Ne duam të veprojmë me kujdes duke e kuptuar ndjeshmërinë ndaj situatës. Këtë e kemi dëshmuar gjatë gjithë kohës.

Në fakt, për shkak të brishtësisë së situatës atje dhe partneritetit me miqtë tanë, me partnerët tanë evropianë e amerikanë kemi toleruar shtyrjet disa herë të zbatimeve të vendimeve tona. Por, çdo shtyrje edhe i skadon afati. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë sepse nuk mund të heqim dorë nga ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e nga obligimet që i kemi për shkak të përgjegjësive që i kemi marrë.

Paligjshmëria nuk do të tolerohet, nuk do të durohet në asnjë pjesë të vendit tonë.

Unë ftoj të gjithë Serbët në Kosovë që të punojnë bashkë me ne. Të jetojnë bashkë me ne. Të kuvendojnë bashkë me neve, të qeverisin bashkë me neve.

Serbia dëshiron kthim në kohë të luftës kur ka kryer masakra e gjenocid në Kosovë. Ne dëshirojmë të ardhme demokratike prosperuese dhe evropiane.

Qytetarët nga komuniteti serb në Kosovë nuk duhet të pranojnë të kthehen në kohëra të shkuara. Kohërat e shkuara duhet të ngelen në të kaluarën.

Serbët janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe nga regjimi i Vuçiqit, i cili po i financon, po i dirigjon dhe po kërkon luftë.

Ne jemi qeveri e paqes e cila dëshiron të ruaj sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim feje e etnie, pa dallim moshe e gjinie. Me këtë rast dua t’i falënderoj pjesëtarët e policisë së Kosovës dhe gjithë zyrtarët e shtetit tonë jo vetëm në fushën e sigurisë të cilët po e mbajnë lart edhe moralin e tyre edhe vigjilencën e tyre ndërkohë që përgatitjet i kanë të mëdha dhe shtetërore. Militarizimi ndër vite i Serbisë na ka sjell në këtë gjendje. Ata për çdo vit ndajnë rreth 3 për qind të bruto produktit vendor për ushtri dhe armatim ndërkohë që produkti vendor u rritej dhe ky militarizim i Serbisë i shoqëruar me ambiciet hegjemonike padyshim që është kërcënim për të gjithë rajonin tonë. Ata dëshirojnë ta cenojnë integritetin tonë territorial ndërkohë po duan ta destabilizojnë gjithë rajonin e Ballkanit.

Bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Sveçla dhe anëtarët e tjerë që sipas detyrës janë pjesëtar të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë ne diskutuam së bashku dhe erdhëm në përfundimet e mira për më shumë vigjilencë dhe gatishmëri të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me detyra të veçanta edhe të MPJ-së edhe asaj të Brendshme në mënyrë që të mundësohet vendosja e paqes, e sigurisë e ligjshmërisë dhe e Kushtetutshmërisë. Nuk jemi kundër askujt sipas përkatësisë etnike por vetëm sipas raportit, sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale apo grupore në raport me sundimin e ligjit në Kosovë.

Ju faleminderit edhe njëherë e tash pas fjalës së ministrit Sveçla do të mund të marrim disa pyetje prej juve!

/GazetaSinjali/