17 persona ishin marrë në pyetje lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Në mesin e personave të intervistuar ishte edhe Naser Makolli që mbahej në një qeli me Astrit Deharin, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai ishte dëshmitari kryesor në rastin Dehari dhe vdiq vetëm 5 muaj pas vdekjes së Astrit Deharit, shkruan Gazeta Sinjali.
Rreth orës 15:00 të datës 5 nëntor 2016, Naser Makolli ishte alarmuar kur pasi ishte kthyer në dhomën e burgut, e pa Astritin në sekondat e fundit të jetës së tij.
Naser Makolli, i dyshuar për veprën penale të ndihmës në vrasje, ishte transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan pasi kishte ndodhur vdekja e Astrit Deharit.
Vdekja e tij vetëm 5 muaj më vonë, u bë një tjetër shkas që do ta mbante të nxehtë çështjen e vdekjes së Astrit Deharit.
Edhe vdekja e Naser Makollit krijoi dyshime. Në raportin mjekësor që iu bë atij thuhej se “ne mesdite, rreth orës 12:45, gjendja e te burgosurit i është përkeqësuar, ka pasur rënie te shtypjes se gjakut, mjeku ka intervenuar menjëherë sipas indikacioneve te paraqitura dhe menjëherë pacienti është dërguar nga njësiti i transportit se bashku me kryeinfermierin e burgut kane transportuar pacientin ne Lipjan”.
Dyshimin e parë e ngritën familjarët. Vëllai i Naser Makollit kishte thënë se ai nuk ka qenë i sëmurë.
“Unë kisha dashtë me i hy kësaj pune pak më thellë, me kqyrë çka është problemi dhe si vdiq ai aq shpejt”, kishte thënë ai.
Për këto dyshime raportuan edhe mediat. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr atëherë nga Dhurata Hoxha, përmes një kumtese për media kërkonte që “të mos ketë keqinformim nga mediat lidhur me vdekjen e Naser Makollit”.
Muaj më vonë, ishte publikuar edhe deklarata e Naser Makollit.
“Kur jemi kthyer në orën 15:00 në dhomë, atë e kam gjetur të shtrirë në dysheme dhe fare nuk lëvizte. Në gojë ka pasur një shishe të plastikës me mjaltë. Menjëherë e kam thirr mjeken dhe më njoftoi se s’ka puls”, kishte shkruar Makolli më dorën e tij në njërën nga deklaratat e para që kishte dhënë pas vdekjes së Astrit Deharit, më saktësisht në orën 17:45 të datës 5 nëntor.
“Ne në dhomë nuk kemi zhileta të cilat janë të përshtatshme për lëndim, e as ndonjë brisk”, ishte shprehur Makolli në një deklaratë tjetër ku dëshmonte për rastin e Deharit.
“Unë kam mbetur i habitur se si ka mundur të shkaktoj vetes dëm, dhe si ka mundur të ndodhë kjo”, vazhdonte deklarata e Naser Makollit.
Familja e Naser Makollit dyshonte se ai mund të ishte vrarë. Ndërkaq vajza e tij, kishte deklaruar se sipas saj, vrasja e Naser Makollit kishte lidhje me atë të Astrit Deharit.
Më pas doli edhe raporti përfundimtar i Institutit të Mjekësisë Ligjore për vdekjen e Makollit.
Sipas këtij raporti të autopsisë, ishte konstatuar se “vdekja e të ndjerit është vdekje jo e dhunshme, e cila ka ardhur si pasojë e infarktit akut të miokardit për shkak të okluzionit të arteries koronare të majtë”. /Gazeta Sinjali/