Një grua 41-vjeçare u shtyp me kamionë nga i dashuri i saj 72-vjeçar, Rogelio Alberto Guardado, pasi çifti kishte pasur një zënkë në Houston të Texas-it.
Pasi e përplasi dhe i kaloi sipër me kamionçinën e tij Nissan Frontier, ai e ktheu makinën duke e shtypur sërish. Guardado, në atë kohë 69-vjeç, i kaloi gruas sipër 4 herë. Për ngjarjen, ai u dënua me 20 vjet burg javën e shkuar.
San Juanita shkoi në spital në gjendje kritike, por arriti t’i thoshte policisë së çfarë kishte ndodhur mbrëmjen e 11 Shtatorit, të vitit 2016.
Ajo pësoi dëmtime të rënda në trup, legen, këmbë e brinjë të thyera, trauma në kokë e dëmtime të tjera, por arriti të mbijetonte. 41-vjeçares iu desh të qëndronte në spital për 2 muaj dhe pasi doli, ajo qëndroi në karrige me rrota për 2 vjet.
Policia e arrestoi Guardado-n 8 ditë pas ngjarjes.
Ndihmës avokatja Nicci Campbell, duke folur pas dhënies së vendimit tha:
“Na tregoi sesi ky veprim vinte nga dikush që ajo e dashuronte, dikush tek i cili kishte besim dhe sesi gjërat shkuan keq e më keq pas ndarjes. Ajo na tha se kishte dëgjuar kockat t’i thyheshin nën gomat e makinës dhe se kishte parë gjakun e saj në tokë. Trupi i saj, me pak fjalë, ishte i ndarë përgjysmë”.
“Ai u përpoq që ta vriste, por ajo nuk donte të vdiste. Jemi me fat që ishte kaq e fortë sa i shpëtoi këtij horrori”, shtoi avokati Kim Ogg./Gazeta Sinjali/