image Debati për pronat e Manastirit të Deçanit në Kosovë - Sinjali

Debati për pronat e Manastirit të Deçanit në Kosovë

news image

QUINT i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Manastrit të Deçanit 24 hektarë tokë. Por qeveria e Komuna e Deçanit i referohen problematikës së tokave rreth manastirit.

Krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara, QUINT, për të disatën herë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë.

Por qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, duke shprehur habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”.

Gjashtë vjet pas nxjerrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, QUINT ia rikujtoi qeverisë së Kosovës se është obligim zbatimi i vendimit. Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, “ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratën e QUINT.

Në deklaratë më tej thuhet se “krerët e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës“.

Prandaj, sërish i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Decani Monastery in western Kosovo

Kisha ortodokse shprehet për shkelje të të drejtave të saj

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit shpreh shqetësim të thellë për mosrespektim dhe shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës. Për vite kemi qenë dëshmitarë të pengimit të hapur të sundimit të ligjit si dhe deklaratave të shumta të papërgjegjshme dhe provokuese nga zyrtarët e Prishtinës”, thuhet në reagimin e Kishës Ortodokse Serbe. Sipas saj, qëndrimi i Prishtinës zyrtare nuk kontribuon në stabilitetin dhe pajtimin në Kosovë, por “nxit intolerancën etnike dhe fetare”.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit apelon edhe një herë tek institucionet ndërkombëtare që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që në Kosovë të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe liritë fetare për Kishën Ortodokse Serbe.

Decani Monastery in western Kosovo

Reagimi i qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës nga ana e saj shprehet, se do të angazhohet maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit. Ajo u bën thirrje liderëve fetarë të Manastirit që të bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale.

Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997, kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese, sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike.

Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor, sepse ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Më tej qeveria e Kosovës thekson, se “çështja e pronësisë së tokave rreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë Gjykatë përkatëse dhe Kushtetuesja nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike”.

Qeveria e Kosovës vlerëson po ashtu Manastirin e Deçanit si “pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës” dhe shpreh keqardhjen, se Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

Qeveria e Serbisë ka replikuar përmes shefit të Zyrës së saj për Kosovën Petar Petkoviq, duke theksuar, se “qeveria në Prishtinë refuzon të zbatojë çdo gjë që është  rënë dakord nëse është në interes të popullit serb”.

Që nga viti 2016, politikanët në Prishtinë kanë refuzuar të zbatojnë vendimin e instancës së tyre më të lartë juridike Gjykatës Kushtetuese. Ata jo vetëm që nuk janë në gjendje dhe nuk dëshirojnë të zbatojnë vendimet dhe as marrëveshjet nga Brukseli, por as nuk duan t’i zbatojnë vendimet e tyre sa herë që janë në pyetje serbët”, thotë Petar Petkoviq, shkruan DW.

Decani Monastery in western Kosovo

Qëndrimi i historianëve të Kosovës

Më të zëshmit dhe kundër që pronat e dy ndërmarrjeve shoqërore t’i kalojnë në pronësi Manastirit të Deçanit, janë Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan. Kryetari i kësaj dege Shkodran Imeraj, thotë se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dy “ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, është i bazuar në kohën e masave të dhunshme të periudhës 1990-1999 që ka marrë Serbia për Kosovën”. Prandaj sipas tij, është “precedent i rrezikshëm”.

Janë me dhjetëra kisha politike gjithandej Kosovës që ka ndërtuar shteti serb gjatë viteve 1990-1999, të cilat do të kërkojnë prona duke u thirrur në vendimet e kohës së Millosheviqit. Andaj, çdo zbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit, do të jetë fatal për Kosovën”, thotë Imeraj duke vlerësuar që “QUINT-i nuk duhet të bëjnë thirrje për zbatimin e vendimeve të kohës së Millosheviqit në Kosovë.

Ndërkohë nga vëzhguesit politikë theksohet, se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit  të Deçanit, mund ta pengojë Kosovën në rrugëtimin  saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Madje sipas tyre, pengesa e parë që mund t’i paraqitet Kosovës pas aplikimit zyrtar është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për faktin që demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: