Matthijs de Ligt, i cili përfundoi një transferim prej 67 milionë eurosh nga Juventus te Bayern Munich dje, zbuloi se Louis Van Gaal rekomandoi kalimin e tij në Bavari.
Mbrojtësi 23-vjeçar holandez nënshkroi dje një kontratë pesëvjeçare me gjigantët e Bundesligës, duke përfunduar një transferim me vlerë 77 milionë euro në total duke përfshirë shtesat nga Biankonerët. De Ligt kaloi tre vjet me Juventusin, duke punuar ngushtë së bashku me Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini, dhe tani ai është gati për hapin tjetër të karrierës së tij.
Duke folur për Bild, De Ligt zbuloi se ai foli për të ardhmen e tij me Van Gaal në fillim të verës, kur lindi ideja për t’u bashkuar me Bayernin.
“Në fillim të verës diskutova të ardhmen time me Van Gaalin dhe ai nuk kishte asgjë tjetër veçse fjalë të mira për Bayernin. Ai lavdëroi filozofinë e tyre dhe më tha se nëse shkoja atje, do të dashurohesha me ta.”
Më pas ai dha mendimet e tij për trajnerin Julian Nagelsmann dhe aftësinë e tij për të zhvilluar talentin e të rinjve.
“Ai ka treguar se të rinjtë me të mund të rriten dhe zhvillohen. Unë ende e shoh veten si të tillë dhe dua të përmirësohem.”
Gjatë tre viteve të tij në Torino, De Ligt bëri 117 paraqitje në të gjitha garat. Ai ishte pjesë e ekipit që fitoi një Scudetto, një Kupë të Italisë dhe një Superkupë italiane.