image Dardan Molliqaj tregon pse e mori postin e liderit të PSD-së

Kosovë

Politikë/ Dardan Molliqaj tregon pse e mori postin e liderit të PSD-së

news image

Këshilli Drejtues i Partisë Socialdemokrate, pa praninë e mediave, ka zgjedhur sot për kryetar të kësaj partie Dardan Molliqaj.

Ai me votim të fshehtë mori 83.7% të votave, duke marrë kështu postin e të parit të kësaj partie nga Shpend Ahmeti.

Përmes një shkrimi në Facebook, Dardan Molliqaj, i cili ishte i vetmi në garë për kryetar të PSD-së, ka treguar arsyet pse ka pranuar t’i prijë kësaj partie, e cila gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit ishte në koalicion të përbashkët me AAK-në, por nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.

 “Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheq PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë”, shkruan Molliqaj.

Sot Partia Socialdemokrate iu përgjigj thirrjes tuaj për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale. Sot treguam që nuk e shohim politikën përmes rezultatit afatshkurtër zgjedhor, por përmes idealeve dhe kauzave që u besojmë.

Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheq PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë.

Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë.

Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, mund të shohim përtej pashpresës e zhgënjimit. Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur 

Ju falënderoj për entuziazmin e mbështetjen që e treguat sot. I falënderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës.

Ndryshe, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se ka vendosur të mos kandidojë për të parin e partisë për shkak të rezultateve zgjedhore dhe se dëshiron të merre me punët si kryetar i Komunës së Prishtinës. /Gazeta Sinjali/