image "Dardan Krivaqa nuk i ka kërkuar falje familjes së Marigonës", flet avokati Gazmend Rexhepi

Sociale

“Dardan Krivaqa nuk i ka kërkuar falje familjes së Marigonës”, flet avokati Gazmend Rexhepi

news image

Ishte 18 vjeçe me ëndrra për jetën dhe dëshira. Por jeta iu ndërpre në mes në mënyrë mizore. M.O u dhunua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Dardan Krivaqa, në Ferizaj.

Vrasësi i saj , Dardan Krivaqa dhe bashkëpunëtori i tij, Arbër Sejdiu, tashmë ndodhen në paraburgim dhe hetimet për ngjarjen vijojnë.

Duke folur për emisionin “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti, në News24, avokati i familjes së të ndjerës, Gazmend Rexhepi, zbardhi detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë, që tronditi Kosovën.

Pjesë nga intervista:

Avokati i familjes Osmani: Personat ende nuk janë nën akuzë, janë në fazën fillestare të hetimeve. Kam marrë autorizimin nga familja pas vrasjes, për përfaqësim vetëm në gjykatë. Rasti ka përfunduar me fatalitet, prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për dy personat, që kanë qenë në vendngjarje. Akuza është për vrasje të rëndë në bashkëpunim. Familja ka pranuar një certifikatë vdekje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku konstatohet vdekja e dhunshme. Viktima ka dy thyerje, por pritet raporti i autopsisë për më shumë detaje.

Kur e mësuat ngjarjen ju?

Se kush ishte vajza, e kam marrë vesh kur u arrestua i dyshuar. Ka vite që e njoh familjen e saj dhe iu shpreha ngushëllime dhe ju kërkova që t’i përfaqësojë dikush. Ata ishin të interesuar për të pasur përfaqësues, pasi nuk janë në gjendje të mirë emocionale, por janë duke u kujdesur edhe për fëmijët e tjerë, që i kanë të vegjël. Marigona ishte fëmija i tyre i parë, ndaj dhe ata po përjetojnë një traumë. Për këtë arsye, më duhet të jem shumë i kufizuar në deklarime.

E reja është lënë te dera e spitalit rreth orës 13 ose 14 pasdite. Ajo ndoshta ka qenë e vdekur dhe në banesë, por e kanë çuar te spitali. Bashkëshorti i saj ka shumë precedentë penalë. Figurojnë 133 apo 135 vepra penale ndaj tij, por shumicën e veprave i ka nën moshën 18 vjeç. Ai është dënuar për sulm ndaj një punonjësi policie. Që është person i dhunshëm, këtë gjë e ka paraqitur dhe shoku i tij, kur ka dhënë deklaratën në polici. Ai ka thënë se ka qenë i dhunshëm ndaj bashkëshortes së vetë. Ai ka thënë në polici se e ka parë dhunën, por nuk ka dashur të ndërhyjë në marrëdhëniet bashkëshortore. Ndërsa bashkëshorti i Marigonës nuk ka folur në polici, ka vendosur të mbrohet në heshtje. Ai nuk i ka kërkuar falje familjes së 18-vjeçares, nuk është deklaruar fare.

Çfarë lidhje kishte Arber Sejdiu, 32 vjeç, që ka jetuar, të paktën ditët e fundit, në një banesë me Krivaqën dhe të ndjerën?

Ai është paraqitur si shok i Krivaqës. Ai e ka dhënë deklarimin e parë para policëve, por deklarimin e dytë ende jo. Ne kemi kërkuar që të jemi prezentë, kur të bëjë deklarimin. Prania e tij në banesë është e dyshimtë, por nuk mund të paragjykojmë. Kam besimin e plotë të prokuroria dhe hetuesit. Ai jeton jashtë në fakt, në Zvicër. Ai është i martuar në Zvicër dhe ka ardhur për pushime, nuk e di akoma pse ka qenë në shtëpinë e tyre. Ai thotë se e kanë dërguar vajzën në spital, pasi mendonin se kishte ende shenja jete. Ata kanë thënë se kanë një vajzë në rrezik për jetën dhe janë larguar nga spitali. Në momentin që është dorëzuar te dera e spitalit e reja, janë hapur kamerat e sigurisë dhe janë publikuar fotografitë e autorëve.

Si janë njohur M.O me Dardan Krivaqën?

Nuk e di si janë njohur, por jetonin prej dy muajsh bashkë. Ishte një lidhje thuajse bashkëshortore, ndonëse nuk ka pasur dasmë. Ajo ka vendosur të jetojë me Krivaqën me dijeninë e prindërve. Ekspertët thonë se vajza vdiq 24 orë para se të dërgohej në spital. Edhe familjarët kanë thënë se kishin rreth 24 orë para vrasjes që nuk flisnin me vajzën. Nëna ka thënë se 24 orët nuk ka komunikuar me vajzën dhe ka shprehur shqetësimin.

Kush ka qenë shkaku i gjithë kësaj tragjedie?

Nuk e di, por se ishte për xhelozi e ka thënë Arbër Sejdiu. Por nuk mund të çojë xhelozia deri te vrasja, mund të jetë divorci.

/Gazeta Sinjali/