Fituesi i Champions League, FC Bayern München do të ndeshet me fituesin e Europa League, Sevilla FC më 24 shtator në “Puskás Aréna” në Budapest.
Tifozët do të kenë kohë deri më 9 shtator për të aplikuar për bileta.
Ndeshja do të luhet me një kapacitet të reduktuar deri në 30% të stadiumit dhe do të shërbejë si një ndeshje provuese për të sjellë tifozët përsëri në stadiume në situatën aktuale të pandemisë COVID-19.
Mbi 20 mijë tifozë do të jenë të pranishëm për ta parë nga afër këtë ndeshje, shkruan Sinjali Sportiv.
Për të siguruar sigurinë maksimale të mundshme për tifozët, do të ekzistojnë masa të rrepta higjienike dhe tifozëve do t’u kërkohet të veprojnë me përgjegjësi dhe të ndjekin masat në çdo kohë.
Të gjithë personat që do të jenë prezent në stadium duhet t’i respektojnë këto rregulla:
- Mbani një distancë prej 1.5 metra nga spektatorët e tjerë;
- Mbani një maskë në çdo kohë që mbulon hundën dhe gojën brenda gjithë perimetrit të stadiumit;
- Lani dhe dezinfektoni duart kur është e mundur;
- Bëni një kontroll të temperaturës së trupit gjatë hyrjes në stadium (tifozët me një temperaturë prej 37.8 ° C ose më lart nuk do të lejohen të hyjnë në stadium)
- Respektoni numrat e vendeve të akorduara nga UEFA të cilat sigurojnë 1.5 metra distancë midis të gjitha vendeve me biletë (të gjitha biletat brenda një porosie do të vendosen direkt pranë njëra-tjetrës);
- Të mos zënë ndonjë vend tjetër, përveç atij të caktuar sipas biletës së tyre;
- Nuk duhet të vini në stadium nëse keni ndonjë nga simptomat e COVID-19. Tifozët që kanë bileta gjithashtu nuk duhet të vijnë nëse ata kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 brenda 14 ditëve të fundit ose nëse kanë qenë në kontakt me dikë gjatë 14 ditëve të fundit që ka rezultuar pozitiv për COVID-19. Në raste të tilla, UEFA do të rimbursojë vlerën nominale të biletave.