Ballkani shkrujti një tjetër histori të enjten mbrëma.
Suharekasit regjistruan fitoren e parë në grupe të Ligës së Konferencës, duke e mposhtur në udhëtim skuadrën turke të Sivassporit me rezultat 3-4.
Goli i Ermal Krasniqit në minutat shtesë i dha fitoren historike klubit kosovar.
Pas ndeshjes, Ilir Daja është shprehur jashtëzakonisht i lumtur për fitoren, duke thënë se fitorja i dedikohet gjithë Kosovës.
“Dje thashë mirëmbrëma Sivas, sot them mirëmbrëma Kosovë. Futbollistët e Ballkanit fitoren ua dedikojnë gjithë Kosovës dhe ngritjes së futbollit në Kosovë. Këta djem kanë personalitet, karakter. Me gjithë se kishim gjithë ato mungesa, lojtarët që u futën e vazhduan atë përpjekje që bënë lojtarët e formacionit”, tha fillimisht trajneri shqiptar.
“Ajo që do të veçoja është që kemi prodhuar lojë dhe kemi pasur shumë situata para portës. Nëse do ishim më cinik do ta mbyllnim ndeshjen më herët. Lojtarët kanë fituar përvojë në një nivel tjetër. Karakterin sportiv këta djem e kanë në nivelin optimal”, shtoi trajneri i Ballkanit.
“Do të kishim tjetër mbështetje sikur të ishim ‘Xhebrailat’. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të kemi përkrahjen e gjithë Kosovës. Këta djem sonte nuk kanë përfaqësuar vetëm qytetin e mrekullueshëm të Suharekës, por gjithë Kosovën”, deklaroi Daja.
Ballkani, tani me 4 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e dytë në grup, aq sa ka edhe Sivasspori një pozitë më poshtë.
Ndeshja e radhës për Ballkanin do të jetë sërish kundër Sivassporit, më 13 tetor – por, kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.