Nota të cilën Ambasada e Kosovës në Bruksel ua dërgoi të gjithë përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, në të cilën ankohet për të dërguarin e BE-së për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, “është një dështim i plotë”, ka thënë pasardhësi i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq në krye të partisë së tij famëkeqe, aktualisht ministër i jashtëm i Vuçiqit, Ivica Daçiq.
“Ky është edhe një tregues se Kurti nuk është i vetëdijshëm se çfarë pritet prej tij, por mendon vetëm se si do ta përfundojë procesin e pavarësisë, si do ta njohë Serbia Kosovën dhe si “do t’i dëbojë serbët nga Kosova”. Dhe ky është problemi më i madh – që tregon se politika e tij është e njëanshme, ekstremiste dhe pengesa kryesore për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Daçiq për Kosovo-Online.
Ai thotë se “nuk beson që nota do të ketë ndonjë sukses sepse Serbia nuk ka emëruar Lajçakun apo Borrellin në pozitat e tyre, por BE-ja me pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare”.
“Pra, kjo letër është një dështim i plotë, veçanërisht nëse merret parasysh që të gjithë e dinë shumë mirë se problemi në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është se Kurti refuzon të zbatojë diçka për të cilën BE-ja, Beogradi dhe Prishtina u obliguan 10 vjet më parë. Ai gjithashtu sulmon Lajçakun, i cili angazhohet që fillimisht të formohet Asociacioni dhe pastaj të diskutohet për gjithçka. Ndërsa kjo ishte dashur të bëhet 10 vjet më parë”, pretendon Daçiq.