image Cufaj nuk e prishë "terezinë", refuzon të flasë për mërgimtarët që u nisën nga Frankfurti: Provo telefonoje ambasadorin gjerman, a ta hapë telefonin ai

Diasporë

Cufaj nuk e prishë “terezinë”, refuzon të flasë për mërgimtarët që u nisën nga Frankfurti: Provo telefonoje ambasadorin gjerman, a ta hapë telefonin ai

news image

Dhjetë kosovarë që u nisën nga Frankfurti për në Kosovë, ndërruan jetë dhe 44 të tjerë u lënduan, pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin humbi kontrollin dhe doli jashtë rrugës, mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod të Kroacisë, raporton Gazeta Sinjali.

15 nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore, në mesin e tyre edhe një vajzë e mitur.

Por, përkundër kësaj dhe ankthit të qytetarëve të cilët po presin informacione për familjarët e tyre, kjo tragjedi nuk po ia prish “terezinë” ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufajt.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me ambasadorin Cufaj për të marrë informacione për mërgimtarët që ishin nisur nga Gjermania në Kosovës, por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se ambasadorët nuk mund t’u përgjigjen gazetarëve, se kështu, sipas tij, bën edhe ambasadori gjerman.

“Jo,jo, jo, jo. Çkado që ke e bisedon me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Me ministri, jo me ambasadorë, provo bre me e thirrë ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, a ta çon telefonin. As se ki as numrin e tij. Mos e teproni bre”, tha Cufaj, duke e mbyllur telefonin./Gazeta Sinjali/