Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka shpërndarë një tabelë me numrin e votuesve të regjistruar në disa vendbanime me shumicë shqiptare në Serbi, duke pyetur se si mund t’u hiqen qytetarëve të drejtat e tyre themelore.
“Pasivizimi i shtetësisë serbe vazhdon, siç e shfaq qartazi kjo tabelë. Kjo ndodh në rajonin e banuar kryesisht me shqiptarë në jug të Serbisë. Si dhe pse mund t’u hiqen qytetarëve të rëndomtë të drejtat e tyre themelore”, shkroi Von Cramon në llogarinë e saj në Twitter.
Ajo këto fjali i përcolli me një postim të një përdoruese tjetër të rrjetit social, të quajtur Flora Ferati-Sachsenmaier.
Zvogëlimi më i madh i numrit të votuesve të regjistruar në këtë tabelë është në Sfircë – për 71.25 për qind, pastaj në Sijarinë me 70.64 për qind. Rënie e konsiderueshme prej më shumë se 50 për qind vërehet pothuajse në të gjitha vendbanimet tjera të paraqitura në tabelë.