Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se këto 197 ditë të përballjes me pandeminë, janë karakterizuar me një angazhim të jashtëzakonshëm të kësaj komune kundër përhapjes së COVID-19, transmeton Gazeta Sinjali.
Këto komente, Haziri i bëri pas takimit me Komitetin komunal për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, gjatë së cilit është bërë vlerësimi ditor dhe vlerësimi i pakos së re të masave lehtësuese të Qeverisë së Kosovës.
“Prej vizitës së fundit të ministrit Veliu para dy javësh e deri mbrëmë, kemi iniciuar, propozuar e arsyetuar lehtësimin e një numri të masave në gastronomi e fusha tjera. Nuk pres që të kemi ndonjë problem nëse i respektojmë masat siç kemi bërë deri tash. Do të luftojmë që numrin e 68 të rasteve aktive ta ‘rrëzojmë’ dhe ta ulim infeksionin në pikën zero”, ka thënë Haziri.
Ai ka falënderuar institucionet shëndetësore dhe emergjencat civile për punën e madhe që kanë bërë, teksa ka njoftuar për fillimin e një aksioni për pastrim gjeneral të hapësirave publike e largim të të gjitha deponive deri në fund të tetorit.
“Do të ndodhë një pastrim masiv sezonal në Gjilan dhe do ta rrisim kulturën e higjienës publike”, ka thënë i pari i Gjilanit.
Kurse, gjendja e përgjithshme e përballjes me COVID-19 në këtë komunë është kjo: 997 të infektuar në total, 885 të shëruar, 68 raste aktive, 44 të vdekur, 18 persona janë të hospitalizuar, 12 prej tyre të konfirmuar me virus, derisa 9 pacientë janë me oksigjenoterapi. /Gazeta Sinjali/