image Çnjohjet mund të çojnë në izolimin e Kosovës

Kosovë

Diplomaci/ Çnjohjet mund të çojnë në izolimin e Kosovës

news image

Aktualisht, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se e kanë njohur Kosovën.

Në renditjen e vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, figuron edhe emri i Ganës, për të cilin shtet u tha se ka tërhequr njohjen.

“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, ka cituar AFP, zëvendësministrin e Jashtëm të Ganës, Charles Owiredu.

Kurse, në letrën që Ministria e Punëve të Jashtme e Ganës e ka dërguar te autoritetet në Serbi e cila është prezantuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, thuhet se vendimi për njohjen e Kosovës në vitin 2012 ishte i parakohshëm.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate tha se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.

Autoritetet në Beograd pretendojnë se tashmë kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga më shumë se 15 shtete.

Këto pretendime në vazhdimësi janë hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës, ndonëse viteve të fundit, Kosova nuk arriti të sigurojë shumë njohje.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se çështja e tërheqjes së njohjeve është fakt politik në politikën botërore, por për shkak të mungesës së mekanizmave rregullues ligjorë dhe institucionalë, sipas tyre, kjo mbetet një çështje mjaft e diskutueshme.

Ata thonë se në parim, mund të argumentohet se tërheqja e njohjeve është e lejueshme vetëm kur një shtet humb kushtet themelore mbi të cilat njohja e shtetit është bërë në radhë të parë, përfshirë posedimin e një popullsie të veçantë, qeverie të pavarur, autoritete efektive dhe definim të territorit.

Profesori Gëzim Visoka, i cili ligjëron për studimet për konfliktet edhe paqe në Dublin City University në Irlandë, thotë se nëse merret për bazë për të vlerësuar tërheqjen e njohjes për Kosovën, mund të shihet se të gjitha shtetet që thonë se kanë çnjohur Kosovën, dështojnë të dëshmojnë se nuk ekzistojnë më kushtet mbi të cilat këto shtete e kanë njohur Kosovën në radhë të parë.

Visoka tha për Radion Evropa e Lirë se tërheqja e njohjes nuk rezulton me humbje të menjëhershme të shtetësisë dhe pavarësisë. Megjithatë, sipas tij, çnjohja mund të çojë në izolim diplomatik, trazira politike të brendshme, qasje të kufizuar në trupa ndërkombëtare dhe ekspozim ndaj ndërhyrjeve të jashtme.

“Në këtë kuptim, çnjohja mund të bëhet instrument që mund të minojë sovranitetin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të prekur. Shikuar nga ky prizëm, tërheqja e njohjes mund të ndikojë në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe deri në një masë edhe në subjektivitetin e saj. Ne e dimë që subjektiviteti shtetëror në të drejtën ndërkombëtare nënkupton mundësinë e zotërimit të të drejtave dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe aftësisë për të gëzuar të drejtën për ta përfaqësuar veten në bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, çnjohja mund të zbehë shanset e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, e cila është një nga mënyrat për të ushtruar subjektivitetin ndërkombëtar”, tha Visoka.

Ndërkaq, sipas analistit të Grupit për Studime Juridike e Politike, Përparim Kryeziu, shtetësia e Kosovë fuqizohet nga numri i njohjeve nga shtetet e ndryshme dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Çdo tërheqje e njohjeve dhe çdo dështim për anëtarësim në organizata ndërkombëtar e dobëson Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë e faktorizon edhe me shumë rolin e Serbisë në konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës”, tha Kryeziu.

Sipas tij, Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë një kujdes të shtuar në këtë drejtim.

“Duhet të zhvillojë një politikë të jashtme aktive që ka për qëllim të fuqizojë atë në rrafshin ndërkombëtar”, tha ai.

Sa i takon numrit të njohjeve edhe qytetarët nuk janë në dijeni se sa është numri i saktë i njohjeve që ka Kosova.

“Unë e di që janë 16 vende që kanë tërhequr njohjen dhe ministri serb ka njoftuar se dhjetë të tjera do të tërhiqen. Se cili është numri i përgjithshëm i vendeve që e kanë njohur Kosovën, nuk jam i sigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bahri Bajrami, një jurist i pensionuar nga Prishtina.

Kurse, një studente e Universiteti të Prishtinës, nuk është e sigurt se sa shtet e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ndoshta 70?”, tha ajo.

Ministria e Jashtme e Kosovës, kohë më parë e kishte akuzuar Qeverinë e Serbisë se po ofron ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes për Kosovës.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se në tre vjetët e fundit, Kosova është përballur me një fushatë të paprecedentë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Përderisa Kosova nuk e ka një pasqyrë të saktë se a janë 116 apo më pak vende që e njohin atë si shtet, gjasat e saj për anëtarësim në organizata e mekanizma ndërkombëtarë konsiderohen si fare të vogla, çka është dëshmuar me dështimin e saj për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

Një rrugë tjetër që konsiderohet se do të mbyllte kapitullin e njohjeve është ajo përmes dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila sipas Prishtinës zyrtare do të nënkuptonte edhe pajtimin apo dakordimin me shkrim të Serbisë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare pa u penguar nga vendet që nuk e njohin atë, përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.