Zyra e Rregullatorit për Energji nëpërmjet një komunikate për media, kanë thënë se përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme për tarifat e rrymës, nënkupton se vendimi i këtij bordi i datës 8 shkurt mbetet në fuqi, shkruan Gazeta Sinjali.
“Zyra e Rregullatorit për Energji, njofton opinionin se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit ARJ nr.45/2022, ka ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji i marrë me 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi”, thuhet në komunikatë.
ZRrE duke u mbështetur në vendimin e Supremes, thotë se ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur.
Sipas tyre, çmimet e përcaktuara, janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit.
“Bordi i ZRRE-së rikujton se çmimet e përcaktuara, janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit. Mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë sistemit energjetik janë thelbësore për zgjidhje sistematike dhe afatgjate“, thuhet tutje.