Në përballjen e tyre të fundit kokë më kokë, të paktën në nivel insitucional, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, riktheksuan rëndësinë e zhvillimit të një politike të përbashkët mbrojtjeje për Evropën, e cila në kontekstin aktual të marrëveshjes mes Britanisë, ShBA-së dhe Australisë bëhet edhe më e nevojshme.
Afganistani dhe klima, ishin dy çështje të tjera të rëndësishme të prekura gjatë takimit, me Merkel dhe Macron që pranuan dështimin në Afganistan. Dy udhëheqësit u dakorduan të vijojnë bashkëpunimin deri në krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në Gjermani, ku Merkel nuk është kandidate.
“Jemi në dijeni të ngjarjeve të ardhshme politike në Gjermani, por deri në krijimin e qeverisë së re, Madam Kancelerja, e dashura Angela Merkel dhe unë do të vijojnë krah për krah bashkëpunimin për çështje të rëndësishme, mbi të cilat jemi përpjekur të sjellim zgjidhje franko-gjermane, siç kemi bërë nga dita 1”, tha Macron.
Në 16 vitet në pushtet, Merkel ka njohur 4 presidentë francezë dhe pavarësisht tensioneve e në disa raste mosmarrëveshjeve, ajo arriti të ndërtojë një marrëdhënie të afërt me secilin prej tyre, përfshirë Macron me të cilin pati një fillim jo të lehtë. Por tani që marrëdhënia e tyre e mirë u vulos, edhe me një paketë prej 750 miliardë eurosh për të ndihmuar shtetet anëtare të përballen me pandeminë, Macron është i shqetësuar për një paralizë të mundshme pas zgjedhjeve.
Periudha zakonisht e zgjatur e ngjizjes së koalicionit qeverisës në Gjermani, mund ta bëjë të vështirë për Francën të çojë përpara agjendën ambicioze të reformave të BE, kur të marrë presidencën e radhës në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Një këshilltar i Elizesë tha se takimi mund të jetë i fundit para zgjedhjeve, por darka e lamtumirës mes dy aleatëve me gjasë do të zhvillohet më vonë.