Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu shqetësim sot lidhur me ritmin e ngadaltë të bisedimeve për qasjen në vaksinën antiCOVID-19 për vendet më të varfra, transmeton Gazeta Sinjali.
Ajo në fund të samitit dy-ditor virtual të 20 vendeve më të industrializuara në botë dhe vendeve në zhvillim, tha se ishte e shqetësuar pasi asgjë nuk ishte vendosur ende për shpërndarjen e vaksinave për më të varfërit.
Sipas saj, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura tashmë kanë nënshkruar marrëveshje me kompanitë farmaceutike për furnizimin e vaksinave.
Udhëheqësit e G20 premtuan sot në fund të samitit se do të bënin gjithçka për të siguruar qasje “të barabartë” në vaksinën e koronavirusit.
Sidoqoftë, 3.8 miliardë euro të tjera mungojnë nga buxheti i Aleancës Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, e cila menaxhon programin Covax të OBSH-së për shpërndarjen e vaksinës së ardhshme. Gjermania tashmë ka premtuar 500 milionë euro për programin Covax.
“Gjëja më e rëndësishme është që Covax të fillojë negociatat me prodhuesit e vaksinave duke përdorur paratë që ka mbledhur tashmë,” tha Merkel. Në fund të samitit të organizuar nga Arabia Saudite, udhëheqësit e G20 deklaruan se “mbështesin plotësisht” mekanizmat e vendosur nga OBSH në luftën kundër virusit korona, që do të thotë se vaksina nuk është e arritshme vetëm për vendet më të pasura.