image Mësohet se kush janë njerëzit e afërt të Putinit

Botë

Mësohet se kush janë njerëzit e afërt të Putinit

news image

Në mars të vitit 2014, pak kohë pasi trupat ruse aneksuan Gadishullin ukrainas të Krimesë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, bisedoi me presidentin amerikan, Barack Obama, për rastin e parë të aneksimit të një territori në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më herët gjatë asaj dite, Merkel kishte biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe gjatë telefonatës me Obamën ajo po ndante detajet e asaj bisede me liderin rus.

Putin është “në një botë tjetër”, raportohet t’i ketë thënë Merkel presidentit Obama, duke iu referuar asaj që analistët e përshkruajnë si këndvështrim alternativ të presidentit rus, që disa e cilësojnë si paranojak, për ngjarjet politike – një mendësi që SHBA-ja thotë se është përgjegjëse për shumë fatkeqësi të vendit.

Tetë vjet më vonë, teksa Rusia e ka rrethuar Ukrainën në tre anë me mbi 130,000 trupa, në atë që zyrtarët e SHBA-së kanë paralajmëruar se mund të jetë përgatitje për pushtimin më të madh në Evropë në mbi 75 vjet, Putin – që i mbushë 70 vjet në tetor – ka të ngjarë që është edhe më shumë i shkëputur nga realiteti, vlerësojnë analistët.

Ai rreth i ngushtë – që mes tjerash përfshin sekretarin e Këshillit për Siguri, Nikolai Patrushev; drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Viktor Bortnikov; ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu; shefin e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës (SVR),Sergei Naryshkin; dhe shefin e Komitetit për Hetime, Aleksandr Bastrykin – është ngushtuar edhe më tej që prej vitit 2014, teksa zhgënjimi i Putinit me Perëndimin po rritet, thonë analistët.

“E ardhmja e Ukrainës mund të varet nga një njeri që gjendet në një flluskë që edhe ushqen agresionin e tij, por edhe e mbron atë nga pasojat e këtij agresioni”, kanë thënë në një artikull të publikuar këtë muaj në Foreign Affairs, Adam E.Casey bashkëpunëtor në Qendrën Weiser të Universitetit të Miçiganit dhe Seva Gunitsky, profesor në Universitetin e Torontos.

Analistja politike ruse, Tatyana Stanovaya shkroi në maj të vitit 2020, në periudhën kur pandemia sapo kishte nisur, se grupimi elitar që ishte në zhvillim e sipër, që ajo i quajti “mbrojtësit”, gjithnjë e më shumë po bëhej më me ndikim te Putini.

Ajo i përshkroi “mbrojtësit” si një aleancë midis atyre që ishin në favor të represionit më të madh brenda Rusisë dhe atyre që shtyjnë përpara ideologji konservatore, si një mënyrë për të zmbrapsur sfidat, që anëtarët e kësaj aleance pretendojnë që vijnë kryesisht nga jashtë vendit.

“Ideologjia e mbrojtësve, e mbështetur paturpësisht në teori konspirative, kërkon që të mobilizojë shoqërinë kundër kërcënimeve të huaja dhe shtyn përpara idenë e kontrollit më të rreptë mbi jetën private të rusëve dhe të jetës politike”, tha Stanovaya.

Një shembull specifik i një pretendimi të tillë konspirativ u shfaq gjatë tensioneve mbi Ukrainën: Shoigu, 66 vjeç, pohoi në dhjetorin e kaluar se mercenarët amerikanë po lëviznin “një përbërje të panjohur kimike” në rajonin e Donbasit, ku forcat e mbështetura nga Rusia që nga viti 2014 po luftojnë me forcat qeveritare ukrainase. Ai nuk dha asnjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim./REL

/GazetaSinjali/