image Gjermania kthen masat për të pavaksinuarit - Sinjali

Gjermania kthen masat për të pavaksinuarit

news image

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, tha sot se qytetarët të cilët nuk janë vaksinuar do të ndalohen nga hyrja në dyqanet joesenciale e hapësirat rekreative e kulturore derisa parlamenti po konsideron imponimin e vaksinimit të detyrueshëm si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Gjermania sërish shënoi shifër të lartë të të infektuarve, afër 70 mijë brenda 24 orëve.

Duke folur pas një takimit me liderët e shteteve federale, Merkel tha se masat janë të domosdoshme sidomos pas shqetësimeve se spitalet në Gjermani mund të stërngarkohen me të sëmurë nga COVID-19, e që mund të jenë në gjendje të rëndë sidomos nëse nuk janë të vaksinuar.

Situata në shtetin tonë është serioze”, tha Merkel duke i quajtur masat si ‘akt të solidaritetit kombëtar’.

Sipas saj, zyrtarët po ashtu janë pajtuar që të kërkojnë bartjen e maskave në shkolla, të imponojnë kufizime të reja për takimet private dhe të synojnë 30 milionë vaksinime deri në fund të vitit, hap ky që do t’u mundësojë dentistëve e farmacistëve që të japin vaksina po ashtu, shkruan REL.

Personalisht, Merkel përkrahu propozimin për vendosjen e vaksinimit të detyrueshëm. Ajo tha se parlamenti do të debatojë rreth këtij propozimi.

Nëse vaksinimi i detyrueshëm miratohet në parlament, në fuqi do të hyj nga shkurti 2022-s, tha Merkel duke shtuar se ajo personalisht do të votonte në përkrahje të kësaj mase.

Rreth 68.7% e popullsisë është krejtësisht e vaksinuar në Gjermani, më pak se minimumi prej 75% që qeveria dëshironte të arrinte.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin