Beteja me pandeminë COVID-19 ka vazhduar edhe vitin që shkoi.
Njerëzit u sfiduan edhe me ndryshimet klimatike, të cilat kishin bërë që në shumë vende të botës të kishte përmbytje, vërshime por edhe shpërthime zjarresh.
Tensionet në mes vendeve të ndryshme nuk munguan, sikurse edhe arritjet historike si dërgimi i roverëve të parë në mars dhe dërgimi i turistëve në hapësirë.
Më poshtë gjeni disa nga ngjarjet që e karakterizuan 2021-tën:
Trupat ushtarake amerikane tërhiqen nga Afganistani pas 20 vjetësh
Ky vit i jepi një rrjedh tjetër ngjarjeve në Afganistan, pasi në gusht të këtij viti nga vendi u largua avioni i fundit amerikan, që shënjoi kështu edhe fundin e misionit 20-vjeçar ushtarak në Afganistan. ShBA-ja dhe aleatët perëndimorë kishin hyrë ushtarakisht në Afganistan, pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York.
Talibanët pushtojnë Kabulin, mijëra afganë lanë vendin e tyre
E largimi i trupave amerikane u kishte hapur rrugë talibanëve të pushtojnë Afganistanin. Një javë pasi forcat amerikane filluan tërheqjen e tyre nga Afganistani, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit të vendit. Ajo që pasoi ishin skena kaosi, ndërsa mijëra afganë u grumbulluan në aeroport për t’u larguar nga vendi për në vende të ndryshme të Evropës e ShBA. E ata që mbetën aty u përballën me ndryshime të mëdha në jetën e përditshme dhe administratë, pasi talibanët vendosën ligjin e Sheriatit.
Tensione në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, shkak fluksi i emigrantëve
Kufiri mes Polonisë dhe Bjellorusisë ishte kthyer në një pengesë të pakalueshme për emigrantë, sidomos refugjatët afganë, të cilët përpiqeshin të kalonin në Poloni për të shkuar më tej në Bashkimin Evropian. Mijëra emigrantë kishin ngritur kampe në kufi, ndërsa shteti polak kishte ndërmarrë masa për të shuar rrezikun për kalimin e paligjshëm të kufirit nga këta emigrantë, duke shtuar forcat në këtë zonë. Komisioni Evropian kishte akuzuar udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko, për joshjen e emigrantëve me premtimin e rremë për hyrje të lehtë në BE, si pjesë e një “qasjeje çnjerëzore, të stilit gangster”, për të marrë hak ndaj sanksioneve të marra nga BE të vendosura pas rizgjedhjes së tij të diskredituar gjerësisht dhe shtypjes së mëvonshme të protestave masive. Ndërkohë Këshilli Evropian e kishte konsideruar të gjithë situatën si një “sulm hibrid” të Minskut.
Rusia grumbulloi trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën, sinjal për një pushtim të mundshëm
Tensione të theksuar këtë vit pati edhe ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë ishin të shqetësuar lidhur me grumbullimin e ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, që mund të sinjalizonte për një pushtim të mundshëm.
Kremlini kishte insistuar se nuk kishte qëllime të tilla dhe e kishte akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë se po bënin pretendime të tilla për të mbuluar “planet e tyre agresive”.
Është e paqartë nëse grumbullimi i trupave ruse paralajmëron ndonjë sulm. Presidenti rus, Vladimir Putin pati kërkuar garanci perëndimore që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe dërgimi i trupave në kufi mund të jetë një mesazh për këtë gjë.
Përmbytje e shpërthime zjarresh në vende të ndryshme të botës
Në këtë vit shumë vende të botës u përballën me përmbytje e shpërthime zjarresh, të cilat shkaktuan edhe viktima.
Anglia, Gjermania, India, Japonia, Kina, Nepali, ShBA-ja, Turqia, Zvicra e shumë shtete në të katër anët e botës janë ballafaquar me vërshime të mëdha gjatë këtij viti.
Në Evropë përmbytje të rënda filluan në muajin korrik. Ato kishin prekur disa pellgje lumenjsh, duke filluar në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të përhapeshin në Belgjikë, Francë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Zvicër dhe Itali.
Të paktën 130 njerëz kishin vdekur nga përmbytjet, duke përfshirë 106 në Gjermani, 1 në Itali dhe 23 në Belgjikë, transmeton klankosova.
Përveç humbjeve në njerëz, kushtet e rënduara klimaterike kishin shkaktuar edhe dëme të mëdha financiare. Dalja nga shtrati i lumenjve dhe rrëshqitja e dheut kanë dëmtuar edhe prodhimet e shumta bujqësore, kanë shkatërruar qindra banesa, si edhe kanë prishur rrugë të shumta.
Ndërkaq zjarre masive u regjistruan në disa zona të SHBA-së, ku u raportua për mbi 1.8 milion hektarë tokë të djegur.
Ekipet e zjarrfikësve, luftuan me shuarjen e zjarreve në jugun e Turqisë, ku vdiqën gjashtë persona e u detyruan të evakuoheshin mbi 300 të tjerë.
Samiti për klimën, u miratua marrëveshja e parë klimatike që planifikon reduktimin e përdorimit të qymyrit
Ky vit u karakterizua edhe me një ngjarje të rëndësishme globale. Në Glasgow të Skocisë u mbajt Samiti për ndryshimet klimatike.
Gati 200 vende pjesëmarrëse miratuan Paktin e Glasgout, që është marrëveshja e parë klimatike e cila planifikon reduktimin e qymyrit burimin kryesor të emetimeve të dioksidit të karbonit në procesin e prodhimit të energjisë elektrike.
Vendet dhe organizatat në këtë samit kishin premtuar më shumë para për vendet në zhvillim në mënyrë që ato të përshtaten me ndikimet klimatike.
Gjatë COP26, më shumë se 100 vende kishin premtuar t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.
Të shumtë ishin edhe aktivistët, të cilët çdo ditë protestonin në Glasgow duke kërkuar më shumë aksione për të ndalur degradimin e planetit.
Edhe pas samitit reagimet e aktivistëve ishin të shumta, të cilët akordet e arritura i cilësonin vetëm fjalë!
Delta Plus dhe Omicron
Për herë të parë në korrik të këtij viti u shfaq mutacioni i ri i COVID-it, Delta Plus, vazhdim i Deltës që ishte vërejtur në fund të 2020-ës. Delta Plus dyshohet se u shfaq në Britaninë e Madhe.
Ky mutacion nga ekspertët shëndetësorë është vlerësuar si shumë kompleks dhe shumë i transmetueshëm.
Në fund të nëntorit shkencëtarët e Afrikës së Jugut identifikuan variantin e ri të koronavirusit, Omicron, që ishte bërë shkak për një rritje të numrit të infeksioneve me koronavirus në Gauteng, provinca më e populluar e vendit.
Por lajmi i mirë është se vaksinimi që po ndodh në gjithë botën kundër COVID-19 mund të ju mbrojë edhe ndaj mutacioneve.
Tragjedia në Bullgari, të paktën 46 persona kishin vdekur pasi zjarri kishte përfshirë një autobus
Të paktën 46 persona, në mesin e tyre 12 fëmijë, kishin ndërruar jetë në nëntor të këtij viti pasi një autobus ishte përplasur dhe përfshirë nga flakët në një autostradë në Bullgarinë perëndimore.
Autoritetet bullgare kishin bërë të ditur se shumica e udhëtarëve kishin qenë turistë nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkaq as sot ende nuk dihet se çka çoi në këtë tragjedi.
14 persona kishin vdekur dhe 12 të tjerë ishin lënduar, pasi një zjarr kishte shpërthyer në spitalin modular në Tetovë
Në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientë me COVID 19, në shtator të këtij viti kishte shpërthyer një zjarr i fuqishëm nga i cili kishin humbur jetën 14 persona dhe ishin lënduar 12 të tjerë.
Pas 16 vjetësh përfundoi epoka e Angela Merkel
Angela Merkel këtë vit është larguar nga posti i kancelares gjermane, pas 16 vjetësh në pushtet. Merkel ishte bë kancelarja e parë femër e Gjermanisë në nëntor 2005 dhe u largua nga posti si një nga udhëheqësit e saj më jetëgjatë, duke ia dorëzuar më në fund pushtetin Olaf Scholz dhe socialdemokratëve të qendrës së majtë. Largimi i saj shënon fundin e një epoke për Gjermaninë, e cila e pa vendin të vendoset si lider i Evropës, të ndërtojë statusin e saj si një superfuqi ekonomike dhe të ketë ndikim të konsiderueshëm në skenën globale.
Në 2021-tën ndërroi jetë personi më të dashur të Mbretëreshës Elizabeth II, Princi Philip
Princi Philip, Duka i Edinburgut, i cili ishte bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth II për më shumë se 60 vjet, kishte vdekur në prill të këtij viti në moshën 99-vjeçare.
Për Mbretëreshën kjo Krishtlindje ishte e para që po e festonte pa bashkëshortin e saj. Ajo me anë të një video-mesazhi që bëri për të uruar festat e fundvitit, tha se po i mungon shumë ai.
Roveri i NASA-s dhe ai kinez zbarkuan në Mars
NASA në shkurt të 2021-tës ka dërguar Roverin e saj më të sofistikuar në Planetin e Kuq.
Ai do të mbledhë të dhëna dhe do të kërkojë shenja të jetës antike në një krater që dikur përmbante një liqen rreth 3.9 miliardë vjet më parë.
Ndërkaq në maj të po këtij viti edhe Kina dërgoi një anije kozmike në Mars.
Rusia nisi një ekuipazh drejt hapësirës për realizimin e filmit të parë në orbitë
Për herë të parë në histori, Rusia në tetor nisi një aktor dhe një regjisor filmi në hapësirë për të bërë një film artistik në orbitë, një projekt që shefi kombëtar i hapësirës e kishte përshkruar si një shans për të rritur prestigjin e programit hapësinor të Rusisë.
Aktorja Yulia Peresild dhe regjisori Klim Shipenko ishin nisur për këtë mision nga Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar në një anije kozmike ruse “Soyuz” së bashku me kozmonautin Anton Shkaplerov, i cili është një veteran i tre misioneve hapësinore.
Udhëtimi i parë turistik në hapësirë
Jeff Bezos, njeriu më i pasur në botë, në korrik të 2021-tës fluturoi për 10 minuta me anijen e kompanisë së tij private Blue Origin duke shkuar më shumë se 60 milje mbi Tokë.
Së bashku me të në bord ishin edhe vëllai i tij, Mark, një student fizike nga Holanda, Oliver Daemon dhe austronautja Wally Funk, 82 vjeçe, e cila nuk pati kurrë mundësinë që të shkonte në hapësirë. Dy të fundit kishin vendosur rekord duke u bërë respektivisht personi më i ri dhe më i vjetër që kanë shkuar në hapësirë.
Kompania Blue Origin këtë traditë e vazhdoi gjatë vitit duke dërguar kështu njerëz të zakonshëm në hapësirë.