Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tmerrshme e mjaft të trishta janë zbuluar muajt e fundit në vendin tonë dhe po vazhdojnë të raportohen. Shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të cilët janë pjesë e institucioneve arsimore, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu dyshohet t’i ketë ndodhur dje edhe një ish-nxënëseje të një shkolle të mesme në qytetin e Ferizajt. Marrja e diplomës së shkollës të cilën e ka kryer vite më parë, u bë sebep që të takohet me sekretarin e shkollës.
Sinjali mëson se në hapësirat shkollore, sekretari dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 27-vjeçaren, duke i kërkuar asaj favore në këmbim të diplomës.
Përballë kësaj situate, viktima ka denoncuar rastin në Polici ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë ngjarjen se si ka ndodhur e ndër të tjera ka bërë me dije se i dyshuari është shprehur se ajo e ka munduar shumë me kërkimet për diplomën e saj dhe në këtë mënyrë edhe ai do diçka prej 27-vjeçares.
Për të ‘paguar’ mundin e sekretarit, ky i fundit dyshohet se i tha një fletë e një laps viktimës, duke e pyetur se çfarë do të bëjë ajo për të dhe në ngacmim e sipër, ai dyshohet se edhe e ka prekur viktimën në trup.
Për shkak të shqetësimit që përjetoi dhe rëndesës psikologjike për situatën në të cilën u ndodh, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Ngacmim seksual’.