Bashkimi Evropian ka paraqitur një projekt të ri pilot mbi vetminë që synon të monitorojë dhe të trajtojë mungesën në rritje të “ndërveprimeve sociale mes njerëzve”.
Një raport i ri mbi vetminë nga Komisioni Evropian ka treguar se të paktën një në 10 banorë të Bashkimit Evropian është i vetmuar në shumicën e kohës, raporton Euronews.
Rreth 13 për qind e banorëve të BE-së thanë se ndihen të vetmuar në shumicën ose gjatë gjithë kohës në sondazhin e parë të vetmisë në mbarë BE-në me 25 mijë të anketuar.
Projekti u krye për të marrë një pasqyrë të “epidemisë së vetmisë” i shkaktuar për shkak të bllokimeve të zgjatura dhe izolimeve gjatë pandemisë së COVID-19.
Sipas raportit, vetmia si dukuri është më e përhapur në Irlandë me rreth 20 për qind që raportuan se ndiheshin të vetmuar.
Nivelet më të ulëta të vetmisë u vunë re në Holandë, Republikën Çeke, Kroaci dhe Austri me më pak se 10 për qind të mostrës së anketuar.
Njerëzit që janë të vetmuar gjatë gjithë kohës ose shumicën e kohës, sipas raportit, kanë rreth 20 për qind më shumë gjasa të vuajnë nga simptomat e depresionit.
“Vetmia nuk është vetëm një çështje private dhe individuale”, thuhet në raport.
“Mund të pengojë kohezionin social dhe duhet të konsiderohet si një problem social dhe të trajtohet si i tillë”.
Pikat kyçe për të parandaluar vetminë
Faktorët kulturorë luajnë një rol të rëndësishëm në vetminë, vuri në dukje raporti, krahas ngjarjeve të tjera në jetën e dikujt.
“Situatat e favorshme ekonomike, si dhe sasia dhe cilësia e ndërveprimeve sociale, janë kyçe kur bëhet fjalë për parandalimin e vetmisë”, shtoi raporti.
Përdorimi intensiv i mediave sociale gjithashtu u cilësua si dukuri në rritjen e vetmisë dhe faqet në internet bëjnë që të “mungojë shoqërimi cilësor fizik me njerëz”.
Vetmia në mesin e të anketuarve të rinj ishte më e lartë se te të moshuarit, sipas raportit.
Por, ndonëse aty thuhej se pasojat e vetmisë ndryshojnë sipas moshës në asnjë mënyrë nuk duhet të injorohet vetmia mes të rriturve.
Sondazhet globale në vitet e fundit kanë vënë në dukje se vendet evropiane si Italia kanë disa nga normat më të larta të vetmisë në pleqëri.
Një sfidë e madhe në trajtimin e problemit të vetmisë rrjedh nga stigmat dhe mosvetëdijsimi social, theksohet tutje në raport, duke shtuar se 57 për qind e të anketuarve nuk ishin të vetëdijshëm për ekzistencën e metodave dhe politikave të trajtimit.
Ndjenja e të qenit të vetmuar mund të përshpejtojë plakjen
Studiuesit e një kompanie zbuluan se faktorët psikologjikë tek njeriu mund të ndikojnë gjithashtu në procesin e plakjes, raporton Euronews.
Ata bënë një studim të të mësuarit thellë të “orës së plakjes” për të zbuluar se çfarë po shkaktonte një përshpejtim të plakjes.
Tashmë është e vërtetuar se të qenit i vetmuar mund të jetë faktor i keq për shëndetin tuaj psikologjik.
Por gjithashtu mund të ndikojë në shëndetin tuaj fizik – veçanërisht, duke përshpejtuar procesin e plakjes së trupit tuaj.
Kjo sipas një studimi të ri, që zbuloi se vetmia rrit moshën biologjike të njerëzve më shumë sesa pirja e rregullt e duhanit.
Studimi përdori një “orë plakjeje” të mësimit të thellë për të testuar gjakun dhe të dhënat biometrike nga pothuajse 12,000 të rritur kinezë.
Studiuesit që qëndrojnë pas studimit, të udhëhequr nga kompania e bioteknologjisë Deep Longevity, thanë se ishin të befasuar kur panë se sa ndikim mund të kenë faktorët psikologjikë në plakje, krahasuar me faktorët fizikë siç është zakoni i pirjes së duhanit.
Çfarë është një “orë plakjeje”
Një “orë e plakjeje” është një model statistikor që mat moshën biologjike, në vend të moshës kronologjike – nga ku matet se sa vjeç është një person në të vërtetë bazuar në datën e lindjes.